Të shtëna me armë në rrugën 'Xhevë Lladrovci' në Prishtinë

Një gjuajtje me armë dyshohet se ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në rrugën “Xhevë Lladrovci” në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, nuk raportohet për persona të lënduar.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar”- ka thënë Ahmeti.

Ndërsa ka njoftuar se Policia janë në kërkim të personit të dyshuar, i cili është identifikuar nga ana e Policisë.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personit të dyshuar, i cili është identifikuar nga ana e policisë”- ka shtuar ajo për KALLXO.com.