FOTO: VOA

Talebanët ndalojnë transmetimet e Zërit të Amerikës dhe BBC-së

Talebanët ua kanë ndaluar stacioneve private televizive në Afganistan transmetimin e programeve të lajmeve të Zërit të Amerikës dhe të BBC-së.

Kjo është masa më e fundit ndër disa kufizime ndaj lirisë së shprehjes që grupi islamik ka vendosur ndaj mediave afgane që kur mori vendin nën kontroll në muajin gusht.

Zëri i Amerikës, selia qendrore e të cilit gjendet në Uashington, denoncoi menjëherë vendimin e talebanëve për të hequr programet e tij nga transmetimi televiziv.

“U kërkojmë talebanëve të rishqyrtojnë këtë vendim fatkeq dhe shqetësues”, u shpreh në një deklaratë të dielën drejtorja në detyrë e Zërit të Amerikës, Yolanda Lopez. “Kufizimet ndaj informacionit që talebanët po përpiqen të imponojnë janë në kundërshti me lirinë e shprehjes që meriton populli afgan”, tha zonja Lopez.

Rrjeti i transmetimeve amerikane prodhon pesë ditë në javë një buletin lajmesh gjysëm orësh në gjuhët pashto dhe dari, dy gjuhët kryesore që fliten në Afganistan, nëpërmjet kanaleve partnere TOLO news dhe Shamshad TV.

Zonja Lopez shtoi se “ndërsa jemi të zhgënjyer dhe të pikëlluar nga urdhërat e talebanëve për kanalet televizive partnere në vend, angazhimi ynë për t’i ofruar popullit të Afganistanit informacion të bazuar në fakte është i tillë që Zëri i Amerikës do të vazhdojë në valë televizive, radiofonike, dhe në internet në www.pashtovoa.com, në www.darivoa.com, si dhe në mediat sociale”.

Drejtuesi i transmetimeve në gjuhë të huaja në Shërbimin Botëror të BBC-së gjithashtu u bëri thirrje talebanëve të heqin masën e ndalimit për edicionet e tyre të lajmeve.

“Edicionet televizive të lajmeve të BBC-së në gjuhët pashto, persiane dhe uzbeke janë hequr nga transmetimi në Afganistan, pasi talebanët urdhëruan televizionet partnere të heqin transmetuesit ndërkombëtarë nga valët e tyre”, konfirmoi Tarik Kafala në një deklaratë të dielën.

“Ky është një zhvillim shqetësues në një periudhë pasigurie dhe trazirash për popullin e Afganistanit”, tha zoti Kafala.

Ai vuri në dukje se “çdo javë mbi gjashtë milionë afganë përfitojnë nga gazetaria e pavarur dhe e paanshme e BBC-së nëpërmjet televizionit dhe është jetësore të mos iu ndalohet kjo qasje në të ardhmen”.

Kur u pyet për të komentuar nëse i kanë urdhëruar kanalet afgane që të heqin transmetuesit ndërkombëtarë nga valët televizive, një zëdhënës taleban i ministrisë së informacionit i tha Zërit të Amerikës se do të mbledhë informacion dhe do të kthejë një përgjigje.

Kritikët vendas dhe ndërkombëtarë thonë se mediat dhe liria e shprehjes janë përkeqësuar nën regjimin taleban në Afganistan.

Gazetarët afganë arrestohen dhe dhunohen vazhdimisht nga forcat e sigurisë. Qeveria e përkohshme talebane ka miratuar “rregullat e gazetarisë”, ku parashikohet zbatimi nga mediat e intepretimit të këtij grupimi të doktrinës islamike për “shijimin e së mirës dhe ndalimin e së keqes”.

Në dhjetor, organizata Gazetarët Pa Kufij (RSF) publikoi një studim ku rezulton se 40% e mediave afgane janë zhdukur dhe mbi 80% e grave gazetare kanë humbur vendin e punës pasi talebanët morën Afganistanin.

Studimi tregon se mjedisi për gazetarët në kryeqytetin Kabul dhe në pjesët e tjera të vendit është bërë “jashtëzakonisht i rrezikshëm”. Kritikët thonë se që atëherë janë përkeqësuar më tej kushtet që gazetarët vendas të punojnë lirisht.

Gjithashtu, qindra gazetarë u larguan nga Afganistani që në muajin gusht, për shkak të frikës nga ndëshkimet e talebanëve dhe të problemeve që sjell ushtrimi i profesionit të tyre nën regjimin e ri.

Sipas studimit të RSF-së, mbi 6400 gazetarë dhe punonjës të mediave kanë humbur vendet e punës që nga 15 gushti kur talebanët morën nën kontroll kryeqytetin afgan, Kabulin.

Ndalimi i programeve të Zërit të Amerikës dhe BBC-së vjen ndërsa talebanët janë vendosur nën presion në rritje dhe kritika ndërkombëtare për mbylljen e shkollave për vajzat afgane.

Talebanët hapën shkollat tetëvjeçare pas pushimit të dimrit, më 23 mars, që shënon çeljen e vitit shkollor për shumicën e provincave afgane.

Por, autoritetet de facto vendosën në minutën e fundit të mos lejonin vajzat mbi klasën e gjashtë të riktheheshin në klasa, duke thënë se nuk ishin bërë ende përgatitjet e duhura për to, si p.sh. uniformat shkollore, në përputhje me ligjin islamik sharia.

Vajzat dhe aktivistët afganë për të drejtat e grave dolën të shtunën në rrugë për të kërkuar që talebanët të rihapin shkollat për vajzat. Ata u zotuan të fillojnë protesta në të gjithë vendin nëse autoritetet nuk i lejojnë vajzat në bankat e shkollave brenda një jave.

Komuniteti ndërkombëtar nuk i ka njohur ende talebanët si qeverisës legjitimë të Afganistanit, bazuar mbi shqetësimet për të drejtat e njeriut, terrorizmin dhe mungesën e gjithëpërfshirjes në qeverinë e përbërë vetëm nga burra në Kabul./VOA