Takohen Rizvanolli e Lorkowski, diskutojnë për sfidat dhe investimet në sektorin e energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është takuar me Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Europë, Artur Lorkowski, me të cilin ka diskutuar për gjendjen aktuale të energjisë elektrike në Kosovë dhe investimet në këtë sektor.

Siç njofton Ministria e Ekonomisë, gjatë takimit Rizvanolli ka theksuar se sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Europë e ka mbështetur Kosovën në shumë procese të rëndësishme përfshirë kornizën ligjore dhe menaxhimin e krizës energjetike.

“Gjatë takimit,  po ashtu u trajtuan edhe çështjet më të rëndësishme aktuale të energjisë, në veçanti për Planin Kombëtar të Kosovës për Energji dhe Klimë (NECP), Harmonizimin e Politikave Mjedisore me Politikat Europiane (ETS) dhe Marrëveshjen për Tregun e Energjisë Elektrike”- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.

Ministrja Rizvanolli e Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Europë diskutuan edhe për sfidat aktuale dhe proceset e lehtësimet që mund të ofrojë Bashkimi Europian në rrugën drejt transformimit energjetik në Kosovë.