Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri e quan Haxhiun 'ministre të sanksionuar nga SHBA-të'

Në një sërë deklarimesh e kundërpërgjigjesh, deputeti Abelard Tahiri nga PDK i është drejtuar përsëri ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Tahiri në fjalën e tij për diskutim e quajti Haxhiun “ministre e sanksionuar” nga SHBA-të.

“E nderuara ministre e sanksionuar e SHBA-ve, nuk e di a ka gjë më të pa dinjitetshme në këtë vend se sa me u sanksionu prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj po të shohim që e je një siklet të mah, një telash të madh. Nuk po të zen vendi vend, flet kur flasim na, reagon, del akuzon”- deklaroi Tahiri.

Deputeti u shpreh se nëse do të ishte në situatën e Haxhiut, do të jepte dorëheqje.

“Unë me qenë në situatën tënde vërtetë kisha dhënë dorëheqje, kisha dhënë dorëheqje sepse është e turpshme me ushtru detyrën e ministres së drejtësisë një njeri që sanksionohet prej SHBA-ve. Me u sanksionu prej SHBAdhe me vazhdu detyrën si ministre e drejtësisë është marre, është marre ër t gjithë sepse në sy të botës jemi një”- tha Tahiri.

Më tej, Tahiri ka thënë si opozitë janë në mbështetje të shtetit duke shtuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rëndësishme.

“Si opozitë jemi në mbështetje të shtetit tonë, si deputetë deshëm me ju kursy sepse nuk është mirë që unë si deputet me dalë me folë me një ministre që është e sanksionune nga bota perëndimore. Marrëdhënia jonë me SHBA për shtet ndërtuesit është shumë e rëndësishme, prandaj ju kërkojmë të jeni në krye të përgjegjësisë së juaj”- theksoi Tahiri.

Mediat dje kanë raportuar se ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është refuzuar viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe vetë ministrja e cila përmes një postimi në Facebook, tha se vizita e saj e paraparë për në dhjetor në SHBA është shtyrë për një datë tjetër.

Haxhiu ka thënë se vendimi për shtyrjen e kësaj vizite është bërë në konsultim me stafin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën”- ka potencuar ajo.

Haxhiu i ka quajtur  të pavërteta lajmet se asaj i është refuzuar viza nga SHBA.