Foto: Kallxo.com

Suspendohen gjashtë policë në Mitrovicën e Veriut

Gjashtë zyrtar të Policisë së Kosovës, në mesin e tyre edhe një me gradën e kapitenit, janë suspenduar në Mitrovicën e Veriut.

Gjashtë zyrtarët  dyshohet se nuk intervenuan në parandalimin e një përleshjeje fizike në mes të disa personave në rrugën “Mbreti Petër” në Mitrovicën e Veriut.

“Zyrtarët e Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut kanë reaguar dje në orët e pasdites një rast të rrahjes në mes pesë personave të dyshuar në rrugën “Mbreti Petër”. Zyrtarët e Policisë së Kosovës edhe pse në vendngjarje, nuk kishin vepruar në bazë të ligjit”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor.

Sipas Inspektoratit, policët kanë dështuar të reagojnë bazuar në autorizimet e tyre për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe nuk kanë reaguar në nivelin e duhur profesional në këtë incident.

“Lidhur me rastin është i njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Hetuesit e IPK-së në përputhje me autorizimet ligjore dhe fushëveprimin e Inspektoratit Policor kanë filluar një procedurë hetimore preliminare në koordinim edhe me prokurorinë kompetente”, thuhet në fund të njoftimit.