Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Supremja lë në fuqi dënimin ndaj Sami Lushtakut për arratisjen nga Dubrava

Gjykata Supreme ka lënë në fuqi dënimin ndaj Sami Lushtakut, të shqiptuar nga Gjykata e shkallës së parë, me ç ‘rast ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitur nga mbrojtja e Lushtakut.

Sami Lushtaku u gjet fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës.

Ai sipas Prokurorisë ishte arratisur derisa po mbante dënimin prej 12 vitesh për krime lufte në rastin “Drenica”.

Gjykata të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 12 mijë eurove.

Kurse për arratisjen nga QKUK, Lushtakut i është parashkruar vepra penale.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Pas kësaj mbrojtja e të akuzuarit kishte ushtuar ankesën në Gjykatën e Apelit, me të cilën gjykata e shkallës së dytës kishte vërtetuar dënimin e shkallës së parë.

Në bazë të këtij vendimi Gjykata e Apelit ka vendosur që pjesën dënuese ndaj Sami Lushtakut lidhur me arratisjen nga Burgu i Dubravës ta lë në fuqi, ndërsa për pjesën liruese ndaj të akuzuarve Emrush Thaçi dhe Negjip Shatri rasti është kthyer në rigjykim.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit  kishte vendosur që të refuzoj pikën 5 të aktakuzës së Prokurorisë në bazë të të cilës të akuzuarit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, ngarkoheshin me veprën penale “Arratisja e  personit të privuar nga liria në bashkëkryerje”, kjo me arsyetimin se ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.

Po ashtu për pikën 7 dhe 8 të pjesës dënuese, Gjykata e Apelit ka vendosur që ndaj akuzuarve Gëzim Ahmeti, Xhevdet Zema dhe Ylber Blaka për veprën penale “Lirimi i kundërligjshëm i personave të privuar nga liria në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi”,  secilit veç e veç, t`ua shqiptoj dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh (me kusht), dënim ky të cilin ata nuk do ta mbajnë nëse, në afat prej një viti nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Me anë të tnjëjtit vendim Gjykata e Apelit, e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sa i përket pjesës liruese, për të akuzuarit Emrush Thaçi dhe Negjip Shatri, me ç ‘rast rastin e ka kthyer në rigjykim për disa pika.

Për pikat 1 dhe 2, për të akuzuarin Emrush Thaçi për dy vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, si dhe për të akuzuarin Negjip Shtari në pikën 14, për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit” dhe Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” , çështja është është kthyer në rigjykim.

Prokuroria pretendonte se nga mëngjesi i datës 20 maj deri në mbrëmjen e 22 majit, Sami Lushtaku së bashku me Ismet Haxhën dhe Sahit Jasharin ishin arratisur nga objektet e QKUK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës Lushtaku, Jashari dhe Haxha ishin fshehur në lokacion të panjohura duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në bazë të një vendimit të ligjshëm.

Sipas Prokurorisë qëllimi i arratisjes ishte mos ekzekutimi i vendimit të gjyqtarit të EULEX-it për transferimin e të akuzuarëve nga Burgu i Dubravës në Burgun e Mitrovicës.