Dënimi i Sami Lushtakut vërtetohet nga Apeli

Gjykata e Apelit përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka marrë vendim me anë të të cilit e ka vërtetuar dënimin ndaj Sami Lushtakut, lidhur me arratisjen nga burgu i Dubravës.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku u gjet fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga burgu i Dubravës.

Ai sipas prokurorisë ishte arratisur derisa po mbante dënimin prej 12 vitesh për krime lufte në rastin “Drenica”. Gjykata i shqiptoi dënim me gjobë  prej 12 mijë eurove.

Kurse për arratisjen nga QKUK- ja, Lushtakut i është parashkruar vepra.

Në bazë të këtij vendimi Gjykata e Apelit ka vendosur që pjesën dënuese ndaj Sami Lushtakut lidhur me arratisjen nga burgu i Dubravës ta vërtetoj, ndërsa për pjesën liruese ndaj të akuzuarve Emrush Thaçi dhe Negjip Shatri rasti është kthyer në rigjykim.

Sipas këtij vendimi, Gjykata e Apelit ka vendosur që të refuzoj pikën 5 të aktakuzës së Prokurorisë në bazë të të cilës të akuzuarit Sami Lushtaku, Sahit Jasharin dhe Ismet Haxha, ngarkoheshin me veprën penale “Arratisja e  personit të privuar nga liria në bashkëkryerje”, kjo me arsyetimin se ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.

Po ashtu për pikën 7 dhe 8 të pjesës dënuese, Gjykata e Apelit ka vendosur që ndaj akuzuarve Gëzim Ahmeti, Xhevdet Zema dhe Ylber Blaka për veprën penale “Lirimi i kundërligjshëm i personave të privuar nga liria në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi”,  secilit veç e veç, tu shqiptoj dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh (me kusht), dënim ky të cilin ata nuk do ta mbajnë nëse, në afat prej një viti nëse nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Me anë të njëjtit vendim Gjykata e Apelit, e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sa i përket pjesës liruese, për të akuzuarit Emrush Thaçi dhe Negjip Shatri, me ç ‘rast rastin e ka kthyer në rigjykim për disa pika.

Për pikat 1 dhe 2, për të akuzuarin Emrush Thaçi për dy vepra penale  “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, si dhe për të akuzuarin Negjip Shtari në pikën 14, për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit” dhe Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” , çështja është është kthyer në rigjykim.

Prokuroria pretendonte se nga mëngjesi i datës 20 maj deri në mbrëmjen e 22 majit, Sami Lushtaku së bashku me Ismet Haxhën dhe Sahit Jasharin ishin arratisur nga objektet e Spitalit Rajonal të Prishtinës.

Gjithnjë sipas aktakuzës Lushtaku, Jashari dhe Haxha ishin fshehur në lokacion të panjohura duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në bazë të një vendimit të ligjshëm.

Sipas Prokurorisë qëllimi i arratisjes ishte  mos ekzekutimi i vendimit të gjyqtarit të EULEX-it për transferimin e të akuzuarëve nga Burgu i Dubravës në Burgun e Mitrovicës.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i gjeni duke klikuar në LINK