Emrush Thaqi - foto arkiv

Ministri i Arsimit emëron në Këshillin Drejtues të Universitetit të Gjilanit të akuzuarin për arratisjen e Sami Lushtakut

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë më 31 dhjetor të vitit 2018 ka emëruar tre anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” në mënyrë që të kompletohej ky këshill.

Në mesin e personave të emëruar në pozitat e anëtarëve të MAShT-it në Këshillin Drejtues të Universitetit Publik të Gjilanit është edhe Emrush Thaçi.

Thaçi, është i akuzuar nga Prokuroria e Shtetit lidhur me arratisjen e ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, gjatë kohës sa po qëndronte i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – QKUK.

Kjo arratisje sipas Prokurorisë kishte ndodhur në kohën sa drejtor i burgjeve ishte Emrush Thaçi, tashmë anëtari i emëruar me vendim të ministrit të Arsimit Shyqyri Bytyqi në Këshillin Drejtues të Universitetit të Gjilanit.

Kallxo.com ka provuar të marrë një prononcim nga Emrush Thaçi, mirëpo ai ka qenë i paqasshëm në telefonin e tij.

Vet ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se nuk e sheh si problem faktin që Emrush Thaçi është i akuzuar nga Prokuroria e Shtetit në rastin e arratisjes së ish kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku.

“Konsideroj se kjo nuk është diçka që ia ndalon që ky të jetë anëtar i Bordit dhe unë besoj se kjo nuk e pengon që të japë nj kontribut në Universitetin e Gjilanit. Pra tutje nëse një person do të akuzohet nuk do të thotë se nuk mund të jetë pjesë e Këshillit Drejtues të Gjilanit. këtë çështje tutje ne duhet t`ia lëmë organeve të drejtësisë”, ka deklaruar ministri Bytyqi.

 

Arratisja e Lushtakut e Emëroi Thaqin Drejtor Burgu

Kallxo.com kishte raportuar lidhur me avancimin e Emrush Thaçit pas arratisjes së ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku.

KALLXO.com kishte siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale e cila përshkruante në detaje rolin e zyrtarëve të burgjeve në arratisjen e Lushtakut duke përfshirë arratisjet e tij nga spitali i Prishtinës dhe tolerimet për të qëndruar disa orë në shtëpinë e tij në “Arbëri”.

Siç kishte raportuar KALLXO.com, aktakuza përshkruante se, Emrush Thaçi në cilësinë e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës arratisjen nga Spitali i Prishtinës (QKUK).

Aktakuza thotë se këtë veprim Thaçi e kishte bërë me qëllim që të ngritej në detyrë, duke u emëruar drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ai sipas aktakuzës, kishte dështuar që të sigurojë prani të gardianëve për t’i mbikëqyrur të pandehurit dhe t’i trajnojë ata që të jenë në gjendje të mbikëqyrin të burgosur të sigurisë së lartë.

Përgjimet e EULEX-it dhe Roli i Hajredin Kuçit në Emërimet në Burgje

Emrush Thaçi në shkurt të vitit 2010-të kishte kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të lirohej nga detyra e drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Lirimin nga detyra Thaçi e kishte kërkuar për shkak të angazhimeve të tij akademike.

https://kallxo.com/drejtuesi-i-sherbimit-korrektues-kerkon-te-lirohet-nga-detyra/

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me emërimin e Emrush Thaçit në krye të Shërbimit Korrektues dhe rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK në kohën sa ishte i burgosur mund t`i gjeni në këtë duke klikuar në LINK

https://kallxo.com/ministria-e-arsimit-emeron-anetaret-e-keshillit-drejtues-per-dy-universitete-publike-minuten-e-fundit/

.