Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Supremja Reagon pas Akuzave të PDK-së

Gjykata Supreme reagoi sot me anë të një komunikate në lidhje me pretendimet e PDK-së se gjyqtarët e saj u ndikuan në vendimin për rinumërimin e votave në Prizren.

“Gjykata Supreme sqaron opinionin publik se pretendimet e publikuara nëpër media, me datë 05.12.2017 të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), sipas të cilave, Gjykata Supreme është e ndikuar politikisht, janë tërësisht të pavërteta”, thuhet në reagimin e Supremes.

Supremja në reagim tregon se emri i një gjyqtari të saj është lidhur gabimisht me vendimin ndaj ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje, pasi ai nuk ishte pjesë e kolegjit që aprovoi këtë ankesë.

“Sqarojmë opinionin publik se gjyqtari Erdogan Haxhibeqiri, nuk ka qenë fare pjesë e kolegjit gjyqësor, kur është vendosur për ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për rinumërim të votave në Prizren”, tregon Supremja në reagim.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte vendosur që votat e Prizrenit të rinumërohen, por më pas Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar në Supreme ndaj këtij vendimi.

Supremja pastaj kishte vendosur që ta hedhë poshtë vendimin e PZAP-it, duke anuluar rinumërimin në Prizren.

Gjykata Supreme në reagim bën me dije se nuk do të ndikohet nga presionet politike që mund t’i bëhen.

“Gjykata Supreme nuk do të bjerë pre e asnjë kërcënimi as shantazhi direkt apo indirekt, nga cilido subjekt politik, grup apo individ”, sqarohet në reagim.

Supremja tregoi edhe se si i merr vendimet.

“Të gjitha vendimet gjyqësore, merren në kolegje prej tre anëtarësh, në përputhje të plotë me ligjin, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi të lartë”, përfundon reagimi.