Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sunguri nga KDTP: Brenda një viti do të ndërtojmë stacionin e autobusëve në Vushtrri

Kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Ergin Sunguri nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, ka premtuar se brenda një viti do të ndërtojë stacionin e autobusëve në rast se merr mandat nga zgjedhjet e 17 tetorit.

“Për ndërtimin e stacionit të autobusëve, brenda një viti do të realizojmë këtë sepse për qytet të Vushtrrisë mos me pas një stacion…, qeverisjet e kaluara është dashur t’i japin rëndësi”, tha ai në Debat Pernime.

Kurse, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se në dy vitet e kaluara ka ndarë buxhet prej 200 mijë euro për stacionin.

“Jemi penguar nga Qeveria pavarësisht cila parti ka udhëhequr sepse nuk është kthyer ajo pronë dhe do të insistojë që aty të ndërtohet stacioni i autobusëve”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vushtrrisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vushtrrisë: Albert Maxhuni nga Nisma Socialdemokrate; Arsim Rexhepi nga LVV; Ergin Sunguri nga KDTP; Ferit Idrizi nga PDK; Jeton Salihu – kandidat i pavarur; Mensut Ademi nga AAK dhe Xhafer Tahiri nga LDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë: Ardita Hasani dhe Shqiponjë Mikushnica nga Nisma Socialdemokrate; Amire Ajeti dhe Florina Sadiku nga AAK; Bahrie Ademaj dhe Gresa Muli nga LVV; Gonxhe Halili dhe Kaltrina Haziri LDK; Melihate Basholli Latifi dhe Nurije Halili nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.