ID kartela e Universitetit të Prishtinës/ Ilustrim/ Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Studentët e nivelit master në UP mbesin pa ID kartela

Studentë të nivelit Master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” të cilët kanë filluar studimet në vitin akademik 2020/2021 kanë mbetur pa ID kartela, që nga fillimi i semestrit të parë.

Studentë kanë shkruar në adresën e KALLXO.com për shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje.

“Prej datës pranimit 06.09.2020 dhe deri me tani ende nuk na janë dhënë ID-Kartelat, ende jemi me metodën e vjetër duke nënshkru në lista. Kjo duke gjë e thjeshtë, por ID kartela na vërteton se ne jemi student të një Universiteti”, ka thënë njëri nga studentët që nuk deshi të identifikohet me emër.

KALLXO.com ka kontaktuar me Universitetin e Prishtinës për të parë se si qëndron kjo çështje dhe të njëjtit kanë thënë se studentët do të pajisen më ID kartela deri në fund të muajit qershor.

“Lidhur me këtë çështje, stafi përgjegjës i UP-së është në kontakt me operatorin ekonomik i cili kryen furnizimin me ID kartela dhe materiale përcjellëse. Të njëjtit kanë njoftuar që deri në fund të muajit qershor do të bëhet furnizimi i nevojshëm”, thuhet në përgjigjen e rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Nga UP thonë se mungesa e ID kartelave nuk ka penguar procesin mësimor, pasi që ligjëratat janë zhvilluar online.