Spitali i Prizrenit rifilloi operacionet e planifikuara një ditë pas raportimit të KALLXO.com

Spitali i Prizrenit ka rifilluar kryerjen e operacioneve të planifikuara të cilat i kishte pezulluar, një ditë pas raportimit të KALLXO.com lidhur me këtë çështje.

Më 28.05.2024 KALLXO.com ka raportuar se ky spital pezulloi operacionet e planifikuara (elektive), për shkak të mungesës së “Fentanil”-it, ilaç që përdoret kryesisht si qetësues dhimbjesh (analgjezik).

Një ditë më pas, më 29.05.2024 Spitali i Prizrenit rifilloi kryerjen e këtyre operacioneve.

Rikthimin e operacioneve e konfirmoi vetë drejtoria e Spitalit, sot më 12.06.2024

“Po, nga data 29.05.2024” – u përgjigj drejtoria në pyetjen se a kanë rifilluar kryerjen e operacioneve elektive.

Më tej, në përgjigjet e Spitalit thuhet se aktualisht janë të furnizuar me sasi të mjaftueshme të këtij ilaçi.

Menaxhmenti i Spitalit nuk kishte ofruar përgjigje se për sa kohë ka qenë ky pezullim, por ka treguar se operacionet urgjente janë kryer gjatë tërë kohës.

“Duke pasur parasysh faktin se nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK) jemi furnizuar me sasi të nevojshme për të kryer rastet urgjente, operacionet elektive për momentin janë shtyrë deri në furnizimin e rregullt me ‘Fentanil’” – pati thënë drejtoria e Spitalit më 28.05.2024.

Vështirësi në furnizim me “Fentantil” kanë thënë se kanë edhe Spitali i Ferizajt dhe ai i Gjilanit, por jo aq sa të pamundësohet kryerja e operacioneve.

Ndërsa, Spitalet në Mitrovicë, Gjakovë dhe Vushtrri thanë se janë mjaftueshëm të furnizuara.

Spitali i Prizrenit drejtohet nga Narqize Arënliu– Hoxhaj, ndërsa SHSKUK, që ka në mbikëqyrje edhe spitalet rajonale, udhëhiqet nga Elvir Azizi.

Pezullimi i operacioneve të planifikuara kishte çuar në shkarkimin e ish-drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, gjatë verës së kaluar.

Zarari kishte vendosur që të ndalonte punën në sallat operative sa i përket programit të planifikuar “për shkak të temperaturave të larta, pushimeve verore të stafit e kushteve jo të mira për punë”.