Familjari i pacientes u ankua për mosdhënie të ndihmës mjekësore, Policia heton vdekjen e 66-vjeçares në Spitalin e Prizrenit
Një person është ankuar në Policinë e Kosovës se në Spitalin e Prizrenit nuk i është dhënë trajtim mjekësor familjares së tij 66-vjeçare që sipas tij ka shkaktuar vdekjen e pacientes.
“Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se viktimës femër kosovare nuk i është dhënë tretman mjekësor dhe si pasojë viktima ka vdekur pas një kohe të shkurtër” – thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Nga Spitali i Prizrenit thonë se po presin rezultatet e obduksionit për të parë mundësinë e shkeljeve profesionale nga ana e stafit.
“Jemi duke e prit raportin e obduksionit. Raporti tregon a ka pasur neglizhencë, a ka pasur lëshime profesionale. Nuk mundemi asnjë fjalë me e thanë për shkakun e vdekjes” – tha Shefajet Berisha, zëdhënës i Spitalit të Prizrenit.
Policia dhe Prokuroria e Prizrenit nuk dhanë më shumë detaje për rastin, duke thënë se rasti po hetohet.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me policinë. Po ashtu, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë më 22.05.2024.
Detaje më të hollësishme, Spitali i Prizrenit dha përmes përgjigjeve me shkrim, ku thuhet se pacientja ka shkuar në spital në orën 1:20 pas mesnatës, në gjendje të rënduar dhe “somnolate” – fjalë kjo që i referohet gjendjes së përgjumur – dhe me tension të ulët 90/60.
“Pacientja fillimisht është trajtuar në shërbimin e emergjencës, ku është konsultuar mjeku kirurg, pasi që pacientja ka pas plagë operatore të fashuara. Pacientja para 5 vitesh është diagnostikuar me Tu. Coloni. (tumor në zorrën e trashë). Nga emergjenca pacientja është dërguar në repartin e internos, me gjendje të përgjithshme të rëndësuar. Pasi që gjendja përkeqësohet edhe më shumë, thirret ekipi i anestezionit. Por, edhe përkundër të gjitha masave të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë në ora 02:40 minuta” – thuhet në përgjigjen e Spitalit të Prizrenit për KALLXO.com më 22.05.2024.
Ekipet kujdestare që kanë trajtuar pacienten, janë intervistuar nga Policia, sipas drejtorisë së Spitalit.
Drejtoria ka thënë se diagnoza e fletëdaljes së pacientes ka qenë si më tej: Hypotensioarteialis, Diabetes mellitus typ 2 Tu.colonis Status post op. Obs.Sepsis. Cardiac.
Përkthyer në terma më të thjeshtë, pacientja ka pasur shtypje të ulët të gjakut, diabet të tipit 2, tumor në zorrë të trashë, të larguar përmes operacionit dhe dyshime për komplikime të lidhura me infeksionin e sepsës që përfshijnë edhe zemrën.
KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë ofruar përgjigje.