Specialja e liron Isni Kilajn nën kushte të rrepta dhe dorëzani prej 30 mijë eurosh

Nën kushte të rrepta është liruar nga paraburgimi, ish kryetari i Malishevës, Isni Kilaj.

Kjo është bërë e ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, më 15.05.2024.

“Më 15 maj, me kushte të rrepta, në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) të datës 3 maj 2024. Në vijim ky vendim u konfirmua edhe nga një Panel i Gjykatës së Apelit i DHSK-së më 13 maj 2024. Në Vendimin mbi Rishikimin e Paraburgimit të Isni Kilajt, Gjykatësi i Vetëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se z. Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”, – thuhet në njoftimin e Dhomave të Specilaizuara.

Në këtë njoftim gjithashtu bëhet e ditur se gjykatësi ka konstatuar se vazhdon të ekzistoj rreziku që Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera.

“Ai(Gjykatësi) konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga Mbrojtja e z. Kilaj dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e z. Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera”, – njofton DHSK.

Ndër tjera, gjykatësi thuhet se arriti në përfundimin se zgjatja e paraburgimit të Kilaj në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja.

“Gjykatësi i Vetëm mbajti parasysh se z. Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuaj gjashtë muaj, për veprat penale për të cilat z. Kilaj konsiderohet i dyshuar mund të dënohesh nga një deri në (5) vjet; dhe kërkesa e kohëve të fundit që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i paraqiti Gjykatësit të Vetëm për pezullimin e shqyrtimit të Aktakuzës së dorëzuar prej saj, për shkak se synon, të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, vonon në mënyrë të konsiderueshme kalendarin e procesit. Për këtë arsye, Gjykatësi i Vetëm vendosi që rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të z. Kilaj nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri”, vijon njoftimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ndryshe më 13 maj, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelin e ZPS-së kundër Vendimit.  Apeli i ZPS-së fokusohej në kushtet e lirimit të Kilaj të urdhëruara nga Gjykatësi i Vetëm.

Ndonëse është liruar, Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DHSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm.

Sipas këtij vendimi Kilaj duhet t’i japë Administratores një garanci financiare në shumën 30.000 euro si kusht paraprak për lirimin e tij,  nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës, përveçse me leje të një paneli kompetent të DHSK-së dhe t’i dorëzojë Administratores pasaportën dhe çfarëdo dokumenti tjetër udhëtimi të tij.

Kilaj gjithashtu duhet të japë adresën në të cilën do të banojë gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe të paraqitet çdo javë në policinë e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Administratorja.

Kilaj, shkruan në vendim se nuk duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike në media dhe/ose mediat sociale lidhur me DHSK-në, ZPS-në dhe ose proceset e DHSK-së, përfshirë deklarata që përmbajnë kërcënime, dhunë ose frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të hetimit penal, ai duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DHSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës.

Gjykatësi i Vetëm theksoi se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e Kilajt.

Ndryshe, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është transferuar më 3 nëntor 2023 në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pasi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.