Policia e Kosovës

Sot është arrestuar personi që dyshohet se sulmoi seksualisht alpinisten Mrika Nikqi 

Prokuroria e Pejës sot gjatë ditës ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari për sulm seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e mbrëmjes së 27 shtatorit, në një rrugicë në Pejë.

KALLXO.com mëson se i dyshuari është 25-vjeçari, F.Beqiraj, i cili është ndaluar për 48 orë.

“Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me këtë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore” – thuhet në njoftim. 

Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar sot një video ku shihet duke u sulmuar nga një person në një rrugicë në qytetin e Pejës. 

“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt” – ka shkruaj ajo në Facebook.  

Mrika Nikqi, është një alpiniste e re, e cila bashkë me të atin në 2019 realizoi me sukses misionin e ngjitjes në shtatë majat më të larta në shtatë kontinentet e botës. Ajo është vajza më e re në botë që ka ngjitur shtatë maja ende pa i mbushur 18 vjet.