Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sot ditë zie në Shqipëri, nisin homazhet për ish-presidentin Nishani

Sot është ditë zie kombëtare në Shqipëri me vendim të qeverisë, në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili vdiq pak ditë më parë.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar është ulur në gjysmështizë.

Në ambientet e Presidencës ka nisur ceremonia shtetërore e homazheve për ish-presidentin Nishani.

Presidenti shqiptar Ilir Meta ishte i pari që kreu homazhe në nder të ish-kreut të shtetit, i shoqëruar nga e bija.

Pas nderimeve të fundit, trupi i ish-presidentit do të shoqërohet nga një kortezh mortor deri te Ura e Lanës e më pas do të përcillet për në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Nishani vdiq në moshën 56-vjeçare si pasojë e komplikimeve shëndetësore. Pak ditë më parë ai u nis drejt Gjermanisë për t’u kuruar nga një sëmundje e mushkërive, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë.

Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.

Bujar Nishani ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017.

Ai ka mbajtur edhe poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë./Euronews