Sot dalin para gjykatës policët e arrestuar dje për marrje ryshfeti

Sot dalin para gjykatës policët e arrestuar dje në aksionin e Inspektoratit Policorë të Kosovës në pikën kufitare në Vërmicë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Në total nga ky aksion, janë arrestuar 26 zyrtarë policor nën dyshimet për korrupsion.

Zyrtarët policorë po dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, kishte njoftuar IPK-ja në një komunikatë të përbashkët për media me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Sipas tyre, hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë (SPAK-) dhe zyrtarët e Agjencisë për Mbikëqyrje Policore(AMP), e cila është agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri.

Në komunikatë është treguar se operacioni i IPK-së ka filluar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Ky operacion është koduar “Pika 2” dhe sipas komunikatës së IPK-së i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë.