Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

S’ndalen rastet e dhunës në familje - babai rrah fëmijët, burri bashkëshorten, djali nënën e daja kanosë mbesën

Një numër i konsiderueshëm i rasteve të dhunës në familje kanë ndodhur në Kosovë edhe në 24 orët e fundit. Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se janë raportuar raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme.

Dje në Prishtinë, një grua ka raportuar se bashkëshorti, në vazhdimësi ka shtruar dhunë ndaj saj. Sipas Policisë, palët janë intervistuar dhe me vendim të Prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar.

Ndërkaq në Prizren, të premten rreth orës 19:10 një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje ishte kanosur nga daja. Palët janë intervistuar dhe me vendim të Prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër në Pejë, të premten është arrestuar një person i cili pas një mosmarrëveshje verbale, kishte ushtruar dhunë në familje duke i sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Policia ka bërë të ditur se viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një grua tjetër nga Malisheva ka raportuar se në vazhdimësi është duke u keqtrajtuar nga djali i saj. Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastet e dhunës në familje.

7 raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë