Skender Hyseni në Paris, takime ku u diskutua dialogu e vizat për Kosovën

Koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë- Serbi, Skender Hyseni nga Parisi ka thënë se nuk duhet të humbet kohë duke zvarritur procesin e dialogut.

Këto komente ai i bëri në një status të publikuar në Facebookun e tij ku ka treguar se gjatë qëndrimit në Paris ka takuar Alexandre Adam, këshilltarin diplomatik për Evropë të presidentit francez Emmanuel Macron.

“Në takimin e parë që u mbajt në Pallatin Presidencial Elysee, u prita nga z. Alexandre Adam, këshilltar diplomatik për Evropë i presidentit francez Emmanuel Macron.Takimi i gjatë dhe përmbajtësor. Duke vlerësuar rolin e madh të Francës dhe Presidentit Macron, z.Adam e njoftova për rrjedhën e deritashme të dialogut në Bruksel. Biseda ishte e hapur dhe shterruese, në frymë mirëkuptimi të plotë”, ka shkruar Hyseni.

Ai ka shtuar se angazhimi i BE-së në procesin e dialogut është i çmuar.

“Duke çmuar angazhimin e BE-së dhe punën e të dërguarit të veçantë të saj, Ljçak në raundet e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel, theksova rëndësinë thelbësore të përkushtimit të Presidentit Makron dhe Kancelarës gjermane Merkel”, shtoi ai.

Hyseni ka shtuar gjithashtu se koordinimi me synimin që dialogu të marrë një dinamikë të re është imperativ.

“Theksova se nuk duhet të humbet koha e çmueshme, duke zvarritur procesin, por duhet shtruar pa u vonuar dhe pa zvarritje, për diskutim dhe akordim çështjen kryesore, marrëveshjen gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm me përfshirjen dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë dhe të koordinuar të trekëndëshit Paris, Berlin, Uashington për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje normalizimi, duke njohur njëra- tjetrën. E sigurova z. Adam se angazhimi konstruktiv i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në këtë process është i vendosur”, thotë Hyseni.

Gjatë ditës, Hyseni ka treguar se ka mbajtur edhe një takim tjetër të gjatë dhe shumë përmbajtësor, me  ambasadorin Frederic Mondoloni, Drejtor për Evropë Kontinentale në MPJ të Francës.

“Tema e bisedës edhe në këtë takim ishte dialogu Kosovë Serbi. Poashtu në këtë takim biseduam me ambasadorin Mondolini edhe për liberalizimi e vizave për qytetarët e Kosovës. Me përunjësi kërkova që edhe Franca përfundimisht të jap pajtimin e saj që liberalizimi të ndodh brenda këtij viti”, ka përfunduar Hyseni.