Foto: KALLXO.com

Skandaloze: S’ka filma të rëntgenit në Spitalin e Prizrenit

Ministri i Shëndetësisë i Qeverisë në detyrë, Uran Ismaili, vazhdon të mburret me “të arriturat” dhe “përmirësimin e gjendjes në shëndetësinë e Kosovës” gjatë kohës sa ai ka udhëhequr dhe po udhëheq Ministrinë.

Megjithatë, ndonëse janë bërë disa investime në pajisje e infrastrukturë, institucionet shëndetësore vazhdojnë të përballen me mungesë të mjeteve elementare për punë.

Kështu, një qytetar ka treguar përvojën e tij të hidhur me Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Pas një aksidenti, qytetari ka shkuar të bëjë një fotografim rëntgen por ka mbetur pa këtë shërbim.

Në murin e Repartit të Radiologjisë të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, pacienti ka gjetur dy letra me këto mbishkrime: “Mungesë e Kontrastit” dhe “S’ka Filma”.

Po ashtu, përderisa ministri në detyrë mburret me pajisjet e reja në spitale, në Repartin e Radiologjisë të Spitalit të Prizrenit, gjendet një grumbull pajisjesh të dëmtuara e të vjetra.

Foto: KALLXO.com

Për mungesën e filmave në Radiologji është në dijeni edhe drejtori i Spitalit, dr. Afrim Avdaj.

Në një prononcim për KALLXO.com, Avdaj ka thënë se ka zhvilluar një takim me radiologët dhe stafin e Repartit dhe se ka kërkuar nga ta që puna të vazhdojë 100 % dhe të ofrojnë shërbime pa pengesa.

Sipas drejtorit Avdaj, Spitali i Përgjithshëm zhvillon procedura të tenderimit deri në shumë 1.000 euro, ndërsa furnizimi me materiale shpenzuese për Repartin e Radiologjisë dhe repartet e tjera bëhet nga Ministria e Shëndetësisë.

Drejtori Afrim Avdaj tha se “mund të ndodhë që filma të mos ketë 1 ditë për çështje të procedurave të prokurimit deri kur vjen blerja e radhës”.

Lidhur me furnizimin e rregullt me filma dr. Avdaj për KALLXO.com thotë se kjo është në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

“E Spitali i Prizrenit ka paraqitur kërkesë që të bëjnë furnizime të përkohshme deri sa të zgjidhet çështja për furnizim të rregullt, ndërsa ne po zhvillojmë procedura të prokurimit në vlerë deri në 1.000 euro, pasi që kjo është e vetmja mundësi ligjore që e kemi”, tha drejtori.

Drejtori Avdaj thekson se pajisja për grafi ekziston, grafia realizohet por printimi i imazhit nuk bëhet në film, ndërsa qëndron në pajisje dhe njëkohësisht mund të përcillet edhe në telefon.

E kjo, sipas drejtorit Avdaj, nuk po krijon pengesa që rastet emergjente apo spitalore të trajtohen dhe pacientët të mos mbesin pa shërbim.

“Interpretimin e filmit e bën radiologu, dhe e ruan imazhin në pajisjen kompetente, dhe cilido mjek që ka kërkuar t’i bëhet radiografia pacientit, mund të shërbehet me ato imazhe që ruhen”, shton ai.

Prandaj, ai vlerëson se nuk ka mungesë shqetësuese të shërbimeve dhe se ky repart po forcon shërbimet për pacientët brenda institucionit të Spitalit të Përgjithshëm dhe rastet Emergjencës.

Ndërsa kërkesa e radhës është paraqitur dhe pritet të merret përgjigja nga ShSKUK, do të zhvillohet procedura e prokurimit për furnizim me filma.

E vetmja pengesë teknike sipas Avdajt është që pacienti nuk e ka fotografinë në dorë, por pacientit i realizohet diagnostika dhe pacienti e merr interpretimin e grafisë nga radiologu.