Skandali në Polici: Zyrtari i paverifikuar nga AKI punonte në databazën e Policisë

Një skandal brenda Policisë së Kosovës është evidentuar rreth 3 muaj më parë nga Inspektorati Policor i Kosovës gjatë një inspektimi për menaxhimin e hetimit dhe zbulimit të krimit.

Një zyrtar ishte caktuar të punonte në databazën apo Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës por që nuk kishte leje të sigurisë për nivelin përkatës.

Kjo pasi që i njëjti nuk kishte plotësuar kriteret nga verifikimi i realizuar nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë.

IPK kishte rekomanduar Policinë e Kosovës që në rastet e tilla kur zyrtarët që nuk kalojnë verifikimin nga AKI të ndërmarrin hapa të nevojshëm për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë në drejtim që të mos cenohet integriteti i informacioneve.

Raporti i IPK-së me detaje nga inspektimi mban datën e 26 janarit të këtij viti.

Për këtë çështje Policia e Kosovës kishte dhënë komentet për Inspektoratin Policor të Kosovës, të cilët kishin thënë se janë të kujdesshëm dhe se veprojnë në bazë të rregullave të parapara.

Gjithashtu Policia e Kosovës kishte thënë se rasti i lartpërmendur ishte i identifikuar në Pejë dhe se do të adresohej rekomandimi i IPK-së.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Policisë së Kosovës se cilat janë veprimet që kanë ndërmarrë në këtë rast dhe është duke pritur një përgjigje..

Sistemi Informativ i Policisë së Kosovës mban të gjitha të dhënat e rasteve kriminale të cilat regjistrohen në këto databaza.

Madje i njëjti sistem ofron detaje të veprave penale si dhe kundërvajtjeve por edhe të dhëna personale për të dyshuarit.