Skandalet e zbuluara nga auditori flenë në prokurori

Dhjetëra afera të korrupsionit të zbuluara nga Auditori Gjeneral janë duke fjetur në sirtarët e Prokurorisë së Shtetit.

Në përjashtim të disa rasteve rastet ku zbulohen keqpërdorime në menaxhim të buxhetit dhe abuzim me paranë publike nuk janë shtyrë përpara nga prokuroria.

Në Prokurorinë e Shtetit trajtimi i rasteve të auditorit ishte marrë me seriozitet ndërsa për ti adresuar  ato është ngarkuar prokurori Besim Kelmendi.

Ky i fundit ka mandat që raportet ti ndajë në prokuroritë përkatëse ndërsa pas dorëzimit të lëndëve nuk ka pranuar informacione kthyese nëse dosjet janë duke u hetuar nga prokurorët.

Kelmendi i ka thënë KALLXO.com se janë 49 raste të cilat prokuroria e shtetit i ka deleguar tek prokuroritë e rretheve ndërsa nuk ka informacione kthyese se çfarë ka ndodhur mehetimin e këtyre rasteve.

Nga këto 49 raste, 30 prej tyre ishin dërguar në Prokurorinë e Prishtinës, 5 në Prokurorinë e Ferizajt, 4 raste në Prokurorinë e  Mitrovicës, 4 raste në  Prokurorinë e Prizrenit, 3 raste në  Prokurorinë e Pejës, 2 raste në Prokurorinë e  Gjakovës dhe 1 rast në Prokurorinë e  Gjilanit.

Në terren KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nga prokuroritë për të kuptuar se në cilin stad janë këto lëndë.

Prokuroria e Gjilanit ka konfirmuar se për raportet e auditimit të 7 komunave ka autorizuar njësinë e Krimeve Ekonomike të policisë për të grumbulluar informacione.

Në Ferizaj zëdhënsja Vjosa Baftiu i ka thënë KALLXO.com se deri më tani nuk kanë asnjë aktakzuë të ngritur për raportet e auditimit. Pesë prokuroritë e tjera nuk kanë dhënë detaje duke u arsyetuar se tani është koha e pandemisë dhe nuk jaën duke  u marrë me lëndë të tilla.

Raportet e auditorit gjeneral të publikuara gjatë vitit të kaluar kanë zbuluar dhjetëra keqpërdorime në institucionet e vendit duke zbardhur edhe përgjegjësit për këto shkelje.

Veprat penale që rezultojnë zakonisht nga raportet e auditimit janë Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, Mashtrimi me subvencione, Lidhja e Kontratës së Dëmshme, mashtrimi në detyrë, përdorimi i paautorizuar i pasurisë, falsifikimi i dokumentit zyrtar, Arkëtimi dhe pagesat e kundërligjshme.