Nord Stream 2 route   -    Foto: Euronews

Situata në Ukrainë, Gjermania ndalon certifikimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”

Certifikimi i gazsjellësit “Nord Stream 2” nuk mund të vazhdojë duke pasur parasysh veprimet e fundit të Rusisë, ka deklaruar kancelari gjerman Olaf Scholz, raporton BBC.

Gazsjellësi midis Rusisë dhe Gjermanisë përfundoi shtatorin e kaluar, por ende nuk është duke funksionuar.

“Nord Stream 2” është një tubacion 1200 km nën Detin Baltik, i cili do të çojë gazin nga bregu rus pranë Shën Petersburgut në Lubmin në Gjermani.

Ai kushtoi 10 miliardë dhe u përfundua shtatorin e kaluar. Gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom vendosi gjysmën e kostos dhe firmat perëndimore të energjisë si Shell dhe ENGIE të Francës po paguajnë pjesën tjetër.

“Nord Stream 2” shkon paralelisht me një gazsjellës ekzistues, Nord Stream, i cili ka funksionuar që nga viti 2011.

Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të gazsjellësit “Nord Stream 2” nga Rusia në Gjermani.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Putin ka urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes të dërgojë trupat ruse në rajonet lindore të Ukrainës, sipas një dekreti të publikuar të hënën, pasi Moska ka njohur pavarësinë e tyre.Putin ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, pritet të miratojnë të martën pasdite sanksione kundër Rusisë lidhur me njohjen dhe veprimet e saj në rajonet separatiste ukrainase, tha shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.