Situata me krizën energjetike, Kusari- Lila fajëson qeveritë e kaluara

Mimoza Kusari Lila, kryetare e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar ndaj situatës me energjinë elektrike.

Kusari Lila tha se kthimi i bllok tarifave është i pa evitueshëm bashkë me kthimin e shprehisë së kursimit dhe vetëdijesimit të konsumatorëve për kursimin e energjisë.

Sipas saj Rregullatori i Energjisë ka shpallur datën e konsultimeve. Ndërsa sipas saj qeveria e ka ndërmarr hapin e parë me ndarjen e 75 milionë eurove për subvencionim të energjisë.

“Kjo datë është deri më 28 janar. Të gjithë këto edhe ne si deputet edhe qeveria e ka mundësinë të jap propozime për situatën e krijuar. Qeveria ka ndërmarr hapin e vet të parë dhe ka ndarë 75 milionë për të subvencionuar energjinë elektrike për qytetarët”, tha ajo.

Kusari Lila për gjendjen energjetike i ka fajësuar qeveritë e më hershme.

“Mungesa e vendimeve ndër vite e sidomos në sektorin e energjisë po ndihet sot më shumë se kurrë. Duhet të bëjmë një reflektim mbi rrethanat e mungesës së vendimmarrjes që i kishin së paku 6 qeveri përpara. I kotë është rikthimi i deklaratave të anëtarëve të Vetëvendosjes në periudha të caktuara duke iu referuar situatave të sotme. Nuk janë deklaratat e anëtarëve të Vetëvendosjes që e sollën këtë gjendje, janë veprimet apo mosveprimet e partive në pushtet të cilat e sollën faturën që sot po ballafaqohemi të gjithë”, tha ajo.

Kusari Lila ka bërë edhe analizë të shteteve të rajonit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sipas shifrave të Eurostatit Shqipëria dhe Maqedonia e veriut e kanë rrymën më të shtrenjtë në rajon. E dyta qeveria shqiptare është e vërtetë e ka shpallur gjendjen emergjente në tetor por vetëm në vitin 2021 ka paguar 223 milionë euro import të rrymës. Edhe 200 milionë të tjera janë të ndara nga qeveria e Shqipërisë për import për vitin 2022… Maqedonia e Veriut 31 dhjetor 2021 ka ngrit çmimin e energjisë për 10 për qind dhe çmimin e ngrohjes 15 për qind”, tha ajo.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.