Si duhet të sillemi pasi të marrin vaksinën anti-COVID?

Rreth 200 punonjës shëndetësorë nga Kosova u vaksinuan të shtunën në Kukës të Shqipërisë, pasi shteti shqiptar vendosi që t’i dhuroj një numër të konsideruar dozash falas të vkasinës “AstraZeneca”  për mjekët kosovarë.

Por, cilat janë efektet dhe si duhet të sillemi pas marrjes së vaksinës?

Flora Miftari- Basholli, doktoreshë, ka treguar përvojën e saj pas vaksinimit dhe këshillat se si duhet të sillemi pasi të vaksinohemi.

“Para se të vaksinohemi ne e kemi plotësuar një formular, ishte i thjeshtë ishte si një lloj ankete ku pyteshim për ndonjë reaksion të mundshëm alergjik për ndonjë sëmundje kronike, ndonjë gjë të veçantë nga jeta jonë që duhet të dihet në këtë rast. Në fund të pyetësorit ishte edhe linku i cili na dërgon direkt me Institutin Shëndetësor të Shqipërisë, që në rast që kemi ankesa, duhej t’i lajmëronim. Gjithashtu ofrohej edhe ndihma mjekësore”, thotë Miftari- Basholli.

Sipas saj, të gjitha shqetësimet që mund t’i kenë ata që vaksinohen duhet t’i përcjellin te institucionet përkatëse.

Sipas studimeve, deri në tri javë pas marrjes së dozës së parë, pacientët që vaksinohen duhet të kenë kujdes të shtuar, pasi efektet e vaksinës fillojnë vetëm atëherë të reagojnë në mbrojtje ndaj COVID-19.

“Diku rreth 76 për qind të rasteve kjo vaksinë të mbron nga simptomat e SarsCov2, ndërkaq pas dozës së dytë, të dhënat tregojnë që mbron qind për qind nga paraqitja e rasteve të rënda dhe hospitalizimeve”, ka thënë doktoresha.