Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet raportohen të kenë ndodhur në Fushë Kosovë, Ferizaj, Suharekë, Klinë dhe Mitrovicë. Nga këto raste janë arrestuar shtatë persona të dyshuar.

Në Fushë Kosovë, Policia ka arrestuar një peron nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar babanë e tij. Sipas raportit policor, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Ferizaj, një grua ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga i fejuari i saj. Viktima ka pranuar trajtimin mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Po në Ferizaj, forcat e rendit kanë arrestuar një person i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshje, ka sulmuar fizikisht gruan e tij. Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur gjithashtu në Ferizaj. Një burrë është arrestuar pasi po dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij.

Policia thotë se viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Suharekë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht ish-bashkëshorten e tij.

Sipas Policisë, viktima është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një grua në Suharekë ka raportuar në Policinë e Kosovës se është sulmuar fizikisht nga burri i saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Në Mitrovicë, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga babai i saj.

Në raport policor bëhet e ditur se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.