Foto: Ilustrim

Shtatë muaj burg për burrin e akuzuar se tentoi ta sulmojë gruan për motive xhelozie

Gjykata në Prizren  ka shpallur sot aktgjykim ndaj të akuzuarit T.N., nën dyshimet se ka ushtruar dhunë në familje.

Sipas Gjykatës, më 7 janar, në shtëpinë e tij, i dyshuari ka kryer keqtrajtim fizik me qëllim të cenimit të dinjitetit të gruas së tij.

Gjykata ka njoftuar se i dyshuari pas disa mosmarrëveshjeve të njëpasnjëshme bashkëshortore lidhur me xhelozinë që e ka i pandehuri ndaj gruas së tij. Në një rast sipas aktakuzës, i dyshuari ka kërkuar nga gruaja e tij të dij arsyen pse ia kishte fshirë një numër të telefonit në telefonin e tij personal.

Në njoftim thuhet se edhe pse e dëmtuara është arsyetuar se nuk i a ka prekur telefonin, i pandehuri ka tentuar që ta sulmojë fizikisht, dhe e njëjta nga frika se do të ndodhë një e keqe, është mbyllur në dhomë dhe ka njoftuar policinë.

Gjykata ka bërë të ditur se gruaja ka qëndruar në dhomë derisa në vendin e ngjarjes janë paraqitur zyrtarët policor.

“Me këto veprime, i pandehuri T.N., tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe shqetësimit të madh, duke kryer veprën penale dhuna në familje. Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin  T.N.,  e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë muajve, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 07.01.2021, dhe dënim me gjobë në shumën prej 100 euro”, thuhet në njoftim.