Protesta e studentëve të Mjekësisë në korrik 2023 - Foto: REL

Shqipëri: Studentët e Mjekësisë i japin fund protestës pas marrëveshjes me rektorin

Studentët e Universitetit të Mjekësisë në Shqipëri i dhanë fund të hënën një proteste të gjatë dhe bojkotimit të mësimit, pasi rektori i universitetit u zotua ta presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kontratën për punësim të detyrueshëm pas përfundimit të studimeve.

Disa muaj pas protestave pothuajse të përditshme, një grup përfaqësues i studentëve u prit të hënën në një takim nga rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

“Kemi kërkuar të mos paraqitet asnjë kontratë deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo u pranua nga rektori”, tha një prej përfaqësuesve që ishte në takim.

Ligji, i cili i detyron studentët të punojnë deri në pesë vjet në Shqipëri pas diplomimit, u miratua në korrik nga Kuvendi i Shqipërisë, por u dërgua në Gjykatë Kushtetuese nga deputetët e opozitës më 18 tetor.

Në takimin që i dha fund protestës, po ashtu, është arritur pajtim që të përgatitet një plan për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë bojkotimit të mësimit. Gjithashtu, është vendosur që të ketë një takim mes përfaqësuesve të studentëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.

Duke u kthyer në sallat e Fakultetit, studentët paralajmëruan se do t’iu rikthehen protestave dhe se “do t’i përshkallëzojnë ato”, nëse nuk mbahen premtimet e dhëna.

Protestat e studentëve të mjekësisë nisën në qershor, kur u diskutua ky ligj si një përpjekje e qeverisë shqiptare për të parandaluar ikjen e mjekëve jashtë vendit. Protestat u intensifikuan me miratimin e ligjit në qershor.

Studentët patën takime edhe me presidentin e vendit Bajram Begaj, megjithatë ligji u dekretua. Më pas kërkesa për shfuqizimin e ligjit u dorëzua në Gjykatë Kushtetuese nga opozita.

Dy javë më parë, Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë publikoi përllogaritjen e bërë për koston e një studenti, që kap vlerën e 2.300 eurove në vit.

Sipas Ministrisë së Arsimit, studentët që nuk nënshkruajnë kontratë për të shërbyer në Shqipëri deri në pesë vjet pas përfundimit të studimeve, duhet të paguajnë këtë vlerë për çdo vit.

Studimet për mjekësi e përgjithshme zgjasin gjashtë vjet. Vlera është rreth tri herë më e ulët se ajo që paraqiti Qeveria në relacionin e Ligjit për studentët e mjekësisë. Sipas Qeverisë, kostoja e një studenti në një vit është 6.500 euro. Sipas ekspertëve të arsimit, ligji është hartuar bazuar mbi të dhëna të pasakta.

Madje për këtë, Qëndresa Qytetare, një organizatë që ka në fokus problemet e të rinjve, i ka kërkuar Kuvendit ta hetojë rastin.

Ministria e Arsimit e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë reagim për protestën e studentëve që prej nisjes së vitit të ri akademik.

Kur doli me idenë e bllokimit të diplomës, rreth një vit më parë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha: “Diplomën e mjekut nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do të shkosh njëherë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë [ai] për ty, pastaj do ta marrësh edhe diplomën dhe shko ku të duash, sipas afateve të caktuara”.

Në dekadën e fundit, sipas Federatës së Mjekëve shqiptarë në Evropë, nga Shqipëria janë larguar mbi 3.000 mjekë – 1.500 prej të cilëve drejt Gjermanisë.

Ata ankohen kryesisht për kushte të këqija në spitale, mungesë barnash dhe paga të ulëta.

Paga mesatare bruto e një mjeku në Shqipëri arrin në 110.000 lekë, apo 950 euro./REL