Foto: Shpetim Selmani/Facebook

Shpëtim Selmani shpallet fituesi nga Kosova i Çmimit të BE-së për Letërsi

Autori i librit “Libërthi i dashurisë” Shpëtim Selmani u shpall sot fituesi nga Kosova i çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi.

Në  garë për këtë çmim ishin edhe autorët Azem Deliu me librin “Shënimet e krimbit Smolinski” dhe Majlinda Bregasi me “Gërsheti i prerë”.

Nga dymbëdhjetë edicionet, Kosova merr pjesë për herë të parë bashkë me 13 shtetet tjera pjesëmarrëse (Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Danimarka, Estonia, Gjermania, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Qiproja dhe Spanja).

Fituesit  nga vendet pjesëmarrëse do të jenë pjesë e antologjisë vjetore të botuar nga EUPL, për të arritur një audiencë ndërkombëtare përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë. Fituesit do të marrin shpërblimin prej 5,000 euro dhe do të promovohen ndërkombëtarisht në panaire të librave.

EUPL u lansua në vitin 2009 dhe që atëherë ajo ka njohur 122 shkrimtarë, përmes 11 botimeve. Çmimin e bashkëfinancon programi i Komisionit Europian Europa Kreative që ka për qëllim të nxisë dialog ndërkulturor dhe promovim të arritjeve artistike në zhanrin e romanit.