Të dielën në Tiranë jepet premiera e shfaqjes ‘Çimka’

Shfaqja “Çimka”, me tekst të Shpëtim Selmanit dhe regji të Zana Hoxhës do të shfaqet premierë më 1 maj 2022 në Tiranë.

Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis”, ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media se premiera kësaj shfaqje do të jepet në ora 20:00 në Muzeun e Përgjimeve të Sigurimit të Shtetit, “Shtëpia e gjetheve”.

Shfaqja “Çimka” është një krijim unik dhe bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” të Tiranës dhe Qendrës për Art dhe komunitet, “Artpolis” në Prishtinë.

Shfaqja “’Çimka” hedh dritë mbi dy botë paralele të përgjimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe asaj të regjimit jugosllav në Kosovë, thuhet më tej në njoftim.

“E bazuar në personalitete historike sikurse disidentja Musine Kokalari dhe rapsodi Dervish Shaqa si dhe në fiksion, ‘Çimka’ dekonstrukton kontrollin e ideologjive të caktuara politike mbi vullnetin e lirë të njeriut, si e drejtë e patjetërsueshme”, thuhet në njoftimin e “Artpolis”.

Në shfaqje luajnë: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj, Altea Dulellari.