Shkolla Fillore "Pjeter Bogdani", Prishtine, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Shkollat e Prishtinës nga gjysmëvjetori i ardhshëm me internet në çdo klasë

Situata me pandeminë COVID-19 ka vënë në pah shumë mangësi që kanë sektore të shumta në Kosovë.

Këtu hyn edhe fusha e arsimit, pjesa më e madhe e shkollave kanë internet vetëm në zyra të drejtorëve dhe kabinete të informatikës.

Kjo ka bërë që edhe reformimi i arsimit në nivelin e ulët dhe atë të mesëm, ku monitorët do përdoreshin edhe për filma ose dokumentare edukative të mos aplikohen si pjesë e plan programeve.

Mbajtja e mësimit online ka shtuar nevojën që mësuesit të kenë qasje në internet në çdo klasë të objektit shkollor.

U desh të përballeshim me një situatë si kjo me pandeminë, që Komunat të përshpejtonin disa procedura.

Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 30 mijë euro për Kabllim dhe instalim të internetit në institucionet arsimore për nevojat e mësimit online.

Shtrirjen e internetit nëpër shkolla e ka konfirmuar edhe drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala.

“Çdo klasë do ketë çasje në internet”, tha Shala për KALLXO.com

Kjo kontratë është negociuar pa publikim paraprak, kurse kriter për dhënie të saj ka qenë çmimi më i ulët.

Tenderin për këtë shërbim e ka marr operatori “G S T” SH.P.K, i cila ka qenë i vetmi ofertues i pranuar.

Mbetet të shihet nëse këto punime do përfundojnë gjatë kohës sa nxënësit janë në pushim dimëror.