Dhurata Ejupi. Foto: Assist Kosovo/Facebook

Shkarkohet udhëheqësja e Divizionit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja, flasin nga Ministria e Drejtësisë

Udhëheqësja e Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, Pranvera Ejupi është shkarkuar nga detyra e saj.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar këshilltari i lartë dhe shefi i kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Genc Nimoni.

Nimoni ka thënë për KALLXO.com se Ejupi nuk është dorëhequr nga pozita e saj, por është larguar.

“Nuk ka dhënë dorëheqje por është larguar nga detyra”, ka thënë ai.

Nimani po ashtu i ka treguar dhe arsyet e shkarkimit të saj.

“Znj.Ejupi-Hajzeraj, është shkarkuar nga detyra për shkak të tejkalimit të kompetencave të saj dhe gjithashtu, mosraportimit të saktë”, ka thënë ai.

Mediat gjatë ditës kanë raportuar se Ejupi-Hajzeraj e ka konfirmuar se ajo e ka ofruar dorëheqjen.

Themelimi i Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara ishte rrjedhojë e obligimeve që dalin për Ministrinë e Drejtësisë nga neni 7 i Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave Potencial të Akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Qëllimi i tij është mbrojtja juridike dhe mbështetja financiare e personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara.