Shërbimi Korrektues jep detaje për oficerin i cili u arrestua për posedim droge

Një oficer i Shërbimit Korrektues është arrestuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz pasi që i njëjti ka poseduar drogë.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dhënë detaje se si tek i dyshuari është gjetur drogë.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se mbrëmë rreth orës ‪21:35 në Burgun e Sigurisë së Lartë, zyrtari korrektues R.J. me detyrë në Portën 0 është ndalur nga zyrtarët tjerë me detyrë në të njëjtin vend, të cilit i kanë gjetur substancë të dyshuar narkotike. R. J., i është bërë kontrolli trupor, ku në xhep i janë gjetur edhe një paketim me 32 letra për mbështjellje të marihuanes”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.

Në lidhje me këtë rast, sipas ShKK-së menjëherë janë njoftuar prokuroria dhe policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, fillimisht Policia e Stacionit të Podujevës, e po ashtu edhe zyrtarë policor të Njësitit Antidrogë nga Regjioni i Prishtinës.

“Me urdhër të prokurorit, R.J., është arrestuar dhe është dërguar në stacion për intervistim.Ndaj të njëjtit, SHKK ka iniciuar procedurat për pezullim nga vendi i punës”, njofton ShKK.