Ish oficeri korrektues para gjykatës, akuzohet se në këmbim të parave futi numër telefoni brenda burgut

Ish oficeri i shërbimit korrektues në Prizren është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me akuzën e prokurorisë për veprën penale marrje ryshfeti.

Bajram Rexhaj po gjykohet se si oficer ka pranuar 50 euro ryshfet për të futur numër telefoni, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum në qendrën e paraburgimit.

Gjatë së hënës, Dafina Osmani mbrojtëse e të akuzuarit ka kundërshtuar akuzën dhe provat e saj.

Ajo shtoi se masa e simulimit ka qenë nxitëse dhe akuza e mbështetur në një provë të tillë ishte e kundërligjshme.

“Veprimet e zyrtarit policor që ka kryer këtë simulim kanë qenë nxitëse dhe për këtë arsye parashtroj se akuza e mbështetur në prova të tilla është e kundërligjshme bashkë me provat e saj të listuara në kërkesën për hedhje të aktakuzës”, tha avokatja Osmani.

Në anën tjetër, prokurorja Ariana Shaikovca deklaroi se provat të cilat janë siguruar gjatë hetimeve janë të ligjshme dhe mbështesin akuzën.

Prokurorja Shaikovca kërkoi që gjykata ta hedhë kërkesën për hedhje të akuzës dhe e njëjta kërkoi që të vazhdohet me shqyrtimin kryesor.

Ndaj kundërshtimit kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, pritet të vendosë ditëve në vijim.

Sipas prokurorisë i pandehuri Bajram Rexhaj, akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personi zyrtar ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Tutje akuza thotë se i pandehuri ditën kritike në pompën e derivateve “Shell” në hyrjen e parë të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro, me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum për një të burgosur me nofkën “Edin”.

Me këtë Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit.

Lidhur me këtë, në seancën e shqyrtimit fillestar Rexhaj ishte deklaruar i pafajshëm.