Foto: REL/AFP

Shell largohet nga partneriteti me Gazprom

Kompania Shell tha të hënën se planifikon të largohet nga partneriteti i saj me gjigantin shtetëror rus të energjisë Gazprom për shkak të ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë.

Sipas një deklarate, Shell synon të largohet nga sipërmarrjet e saj të përbashkëta me Gazprom dhe subjektet e lidhura, duke përfshirë 27.5% të aksioneve të saj në objektin e gazit natyror të lëngshëm Sakhalin-II, 50% të aksioneve të saj në Salym Petroleum Development dhe sipërmarrjen energjetike Gydan. Kompania do t’i japë fund po ashtu edhe përfshirjes së saj në projektin e gazsjellësit Nord Stream 2, thotë tutje deklarata.

“Jemi të tronditur nga humbja e jetëve në Ukrainë si rezultat i një akti të pakuptimtë të agresionit ushtarak që e kërcënon sigurinë evropiane”, tha shefi ekzekutiv i Shell, Ben van Beurden.

“Vendimi ynë për t’u larguar është vendim i bazuar në bindjet tona,” tha Ben van Beurden. Fokusi ynë i menjëhershëm është siguria e njerëzve tanë në Ukrainë dhe mbështetja e popullit tonë në Rusi. Në diskutime me qeveritë anembanë botës, ne do të punojmë gjithashtu përmes implikimeve të detajuara të biznesit, duke përfshirë rëndësinë e furnizimeve të sigurta të energjisë në Evropë dhe tregje të tjera, në përputhje me sanksionet përkatëse.Në fund të vitit 2021, Shell kishte rreth 3 miliardë dollarë asete afatgjata në këto sipërmarrje në Rusi, sipas kompanisë në fjalë.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës/CNN