Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Shefi i Telekomit flet për procesin e kalimit të numrave nga Z-Mobile në Vala

Kryeshefi ekzekutivi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë të ditur se nga data 29 nëntor të këtij viti, të gjithë konsumatorët e operatorit Z-Mobile do të kalojnë në Vala.

Istrefi ka thënë se bëhet fjalë për 200 mijë numra të telefonisë mobile.

“Faza tranzitore e rikthimit të numrave të MVNO-s e cila zgjatë 120 ditë, do të përfundojë me datën 28.11.2019 në ora 00:00. Të gjithë konsumatorët e Z-Mobile, të cilët prej kësaj date do të jenë konsumatorë të VALA-s, nuk do të kenë asnjë nevojë për ndryshimin e SIM kartelave, sepse të njëjtat do të funksionojnë sikur para kësaj date, veçse ofertat dhe produktet që do të përdorin do të mund t’i blejnë në të gjitha pikat tona të shitjes”, ka shkruar Istrefi.

Ai gjithashtu ka siguruar konsumatorët që do të kalojnë në Vala, se për asnjë moment nuk do të mbesin pa shërbime dhe se për ta do të ketë oferta të veçanta.

“Telekomi i Kosovës falënderon të gjithë konsumatorët që besojnë në VALA dhe i fton të qëndrojnë besnik ndaj shërbimeve tona”, ka shkruar në fund Istrefi.

Bordi Drejtues i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) me 25 shtator të këtij viti kishte marrë vendim që të gjithë numrat e operatorit Z-Mobile të kalojnë në pronësi të Telekomit të Kosovës, pas periudhës tranzitore.

“ARKEP ka marrë vendim që me qëllim të dhënies së mundësisë së përdoruesve fundor për vijimësi të shërbimeve, numeracioni i cili është aktualisht në dispozicion për nevoja të operatorit virtual ‘Dardafone.net’, pas kalimit të periudhës tranziotore, ti kaloj për përdorim operatorit amë rrjetit të telefonisë, përkatësisht Telekomit të Kosovës”, thuhej në komunikatën e ARKEP-it të datës 25 shtator.

Çfarë ndodh me numrat e ‘Z-Mobile’ pas shkëputjes së kontratës nga Telekomi?