Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, Kurti e Osmani zotohen për politika parandaluese

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti po marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racorë.

Osmani u shpreh se ky samit është platformë e duhur për të ngritur zërin, derisa theksoi se Kosova i di më së miri pasojat e diskriminimit sistematik.

“Jam e nderuar të jem në hapje të këtij samiti si një platformë e duhur për të ngritur zërin tonë. Njohja e dinjitetit të lindur njerëzor sublimohet në deklaratën universale për të drejta të njeriut, ndaj në këtë linjë duhet të ecim. Shoqëria kosovare është diverse ndaj në themelet kushtetuese qëndron edhe shteti shumëetnik. Askush më shumë sesa Kosova nuk i ka vuajtur pasojat e diskriminimit sistematik, sidomos në vitet ’80 e ’90-ta”- deklaroi Osmani.

Presidentja potencoi se diskriminimi ndaj secilit qytetar është sulm ndaj parimeve të drejtësisë.

“Ne duhet të mësojmë nga historia jonë për vragat që ka lënë disktriminimi sistematik. Kosova është shtëpi e të gjithëve dhe të tillë do ta mbajmë gjithmonë. Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë”- shtoi tutje Presidentja.

Derisa, kryeministri Albin Kurti u shpreh se janë këtu për të mos lejuar që diskrimini të rrezikojë të ardhmen.

Kurti përmendi edhe fondet që janë ndarë për studentë të komuniteteve.

“Shtetet tona përfitojnë nga diversiteti etnik. Ne jemi sot këtu me përkushtimin për të mos lejuar që diskriminimi të rrezikojë një të ardhme të mirë. Kemi ndarë fonde për student të këtyre komuniteteve në fakultet. Për regjistrim dhe ndjekje penale e kemi krijuar platformën për diskriminim nga e cila përcjellen rastet në gjykatë”- u shpreh Kryeministri.

Isak Skënderi nga Zëri i Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas tha se duhet të miratohen ligje kundër gjuhës se urrejtjes dhe diskriminit ndaj romëve.

“Antigjipsizmi si një formë specifike e diskriminimit të romëve ka depërtuar në shoqëritë tona. Mungesa e veprimit për ta penguar këtë racizëm janë pengesat kryesore për përparim. Ne duhet të përforcojmë zërat që preken drejtpërdrejt nga kjo. Ne duhet të monitorojmë antigjipsizmin, të miratojmë ligje për gjuhën e urrejtjes. Ne duhet të vendosim të gjitha mjetet ligjore për të sanksionuar antigjipsizmin”- ka thënë ai.