Sa herë ngrit flamurin kombëtar Ragmi Mustafa, paditet nga Serbia, tre padi për tre vjet

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ka bërë të ditur se është paditur përsëri nga Serbia, për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar.

Dhe kjo është hera e tretë, ka thënë Mustafa për KALLXO.com, që Serbia ka dorëzuar padi ndaj tij, gjithherë pasi për nder të Festës së 28 Nëntorit, Kamberi ngritë flamurin kombëtar.

Hera e fundit që Mustafa ishte paditur nuk është kohë e largët. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, ai u padit për ngritje të flamurit kombëtar në selinë e Këshillit. Për ftesën e radhës paditëse, Mustafa thotë të jetë njoftuar dje.

“Dje, pranova ftesën e radhës nga gjykata e Vranjës, për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, më 28 nëntor 2020. Si herëve të tjera, akuzohem për ‘kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar’”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Sipas tij, kjo padi i është ngrit, pasi që ai ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit për ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin.

“Kjo padi ndaj meje ngritët pasi kam deponuar ankesën në Gjykatën e Apelit ndaj aktvendimit të Gjykatës së Lartë për padinë time ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vulin, për përdorim të gjuhës nënçmuese, fyese, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminalizuese e denigruese ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Mustafa.

Ai shtoi se aktvendimi i fundit i Gjykatës së Lartë që ‘legalizoi’ institucionalizimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, “si dhe përndjekjet ligjore që pasuan pas padisë sime ndaj Ministrit të Policisë Vulin, dëshmojnë motivet politike të sistemit gjyqësor e prokurorial në Serbi”.

“Shihet qartë se po rriten çdo ditë e më shumë presionet politike dhe ligjore të pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi, e në Luginën e Preshevës”, ka shtuar Musatfa.

Ai ka ftuar akterët ndërkombëtar që të reagojnë pas kësaj çështjeje si dhe kërkoi sensibilizim të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ftoj Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Organizatën për Siguri e Bashkëpunim Evropian, që mos t’i mbyllin sytë ndaj pushtetit autoritar dhe anti-minoritar në Beograd. Uroj që Prishtina dhe Tirana zyrtare, të jenë më dinamike në sensibilizimin e qarqeve diplomatike ndërkombëtare ndaj presioneve dhe diskriminimit të shqiptarëve në Serbi”, tha kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Në fund, Mustafa tha se duke mos u zmbrapsur politikisht, Këshilli Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën ligjore, deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ragmi Mustafa paditet nga gjykata e Serbisë për ngritjen e flamurit shqiptar

.