RTK me mbi 2.7 milionë euro borxhe

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere është duke u shqyrtuar raporti i shpenzimeve të RTK në periudhën janar –  mars 2021. Ky raport ishte shqyrtuar edhe në javën e kaluar por që komisioni nuk e kishte votuar.

Të ftuar në këtë komision janë edhe drejtori i përgjithshëm i RTK, Ngadhnjim Kastrati dhe kryetari i bordit të RTK, Sali Bashota.

Temë diskutimi gjatë kësaj mbledhje është raporti i shpenzimeve për tremujorin e parë 2021 nga RTK.

“Këto borxhe nuk janë të këtij bordi por janë të trashëguara. Përkundrazi jemi munduar të bëjmë kursime duke paguar një borxh të madh. Mund të ketë ndonjë kapërcim por në fund të vitit jemi 0-0”, theksoi Sali Bashota.

Drejtori i përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati tha se aktualisht RTK ka 2 milionë e 750 mijë euro borxhe ndërsa synojnë që deri në fund të vitit të paguajnë edhe 1 milionë euro borxhe.

“Në shumë vija kemi kursyer si në udhëtime shpenzime vepra audiovizuele. Ne 90% të programacionit e bëjmë brena vendit. Në fund të vitit 2018 kemi pasur borxh prej 5 milionë e  200 mijë euro, ndërsa tani kemi 2 milionë e 750 mijë euro. Besojmë që deri në fund të këtij viti do të bie edhe për një milionë euro. Buxheti lëviz edhe me rritjen e pagave të punëtoreve dhe avancimeve. Të mallrave shërbimet dhe investimet kapitale janë krijuar borxhe më të mëdha”, tha  Kastrati.

Halili Bajramaj menaxher kontabiliteti në RTK tha se këto borxhe kanë filluar që nga 2009.

“Borxhi është kriju kur është ndërpre kontrata e parapagimit me KEK në shtator të 2009, prej atëherë ne jemi në borxhe. Vit pas viti është duke u zvogëlu borxhi sa i përket janar – mars (2021),nuk është tejkalu asnjë linjë buxhetore. 400 mijë euro më pak shpenzime në fund të vitit të kaluar”, tha Bajramaj.

Ndërkaq Armend Muja nga LVV, kryetar i komisionit, ka thënë se përkundër borxheve të RTK-së, Kuvendi vazhdimisht u ka rrit mjetet financiare.

“Kuvendi vazhdimisht ua ka rrit mjetet, mos ia hidhni fajet kuvendit, ne vazhdimisht u kemi aloku mjete edhe në kohën e parapagimit edhe në 2011. Shpenzime në paga kanë ardhë non stop duke u rrit, nëse nuk ka pas të hyra shtresë si është rrit numri i punëtoreve”, tha Muja.

Në këtë komision pritet të diskutohet: Votimi  i Buxhetit të Komunës së Mitrovicës për vitin 2021, Shqyrtimi i Programit të Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar – mars  2021, Shqyrtimi i Programit të Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën prill – qershor  2021.

https://www.facebook.com/kallxo/videos/743861916276664