Ilustrim

Rreth 10% kursimi i rrymës nga qytetarët e Kosovës për një muaj

Termocentralet në Kosovë, që janë dhe furnizuesit kryesor të energjisë elektrike në vend, vetëm për muajin gusht kanë prodhuar hiç më pak se rreth 450 giga-vat orë energji elektrike. Në anën tjetër, konsumi i rrymës nga qytetarët e Kosovës ishte rreth 10 për qind më pak.

“Në muajin gusht 2022, prodhimi bruto nga termocentralet i energjisë elektrike ishte 447.18 GWh, Prodhimi Bruto nga Hidrocentralet energjisë elektrike ishte 4.37 GWh.” dhe Prodhimi Bruto nga Era dhe ajo Solare i energjisë elektrike ishte 20.49 GWh.”-njoftoi ASK.

Tutje thuhet se gjatë muajit gusht të këtij viti, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 460.24 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 363.42 GWh, ose 9.66 për qind më i vogël sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 6.84 për qind.

Ndërkaq, importi  i energjisë elektrike në muajin gusht ishte 355.24 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 367.03 GWh.

ASK më tej bëri të ditur se sa thëngjill u prodhua në muajin gusht

“Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 5.73 mijë ton, ose 2.49% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.”-bën të ditur ASK.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon, në baza mujore, të dhënat për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.

Sipas ASK-sw, ky publikim statistikor paraqet të dhëna statistikore për muajin gusht 2022.

Sa i përket krizës energjetike në Kosovë, KALLXO.com  raportoi sot se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka thënë se do të japin grant në vlerë prej 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.

Këtë e ka bërë të ditur Von der Leyen në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Tani mund të keni nevojë për mbështetje financiare buxhetore kështu që ne do t’ju japim grant prej 75 milionë eurove për të mbështetur menjëherë bizneset dhe ekonomitë familjare. Do të përfundojmë të gjitha procedurat deri në fund të vitit ashtu që në janar të keni financimin në buxhetin tuaj. E kemi edhe një investim në grante, janë 500 milionë për rajonin, për mbështetje drejt pavarësisë energjetike dhe kjo është investimi në energji të ripërtëritshme” – u shpreh ajo.