Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrëfimi i përkthyeses së gazetarëve të BBC-së: Serbët na morën në shënjestër me snajper

Nora Visoka Weller, e cila në luftën e Kosovës ka punuar si përkthyese për gazetarët e huaj dhe misionet ndërkombëtare, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se si ushtria serbie kishte pritur gazetarët e BBC-së me snajper.

Ajo ka rrëfyer se gazetarët që kanë punuar në luftën e Kosovës kanë pasur eksperiencë, pasi kishin punuar edhe në vende të tjera ku ka pasur konflikte.

“Postblloku për në Pejë afër Klinës, ka qenë i njohur si një postbllok me një grup të ushtarëve shumë të këqinj, sepse përmbi në një breg ka pasur snajperistë gjatë gjithë kohës. Në një moment, kam qenë me një grup të kombinuar të gazatarëve, dy të BBC dhe dy të një agjencie tjetër. Na ndalojnë, na thonë: Dilni prej makinave, dy kameranëve u thonë na jepni kamerat”, tregoi ajo.

Tutje, ajo ka thënë se njërit prej kameranëve i janë kërkuar kasetat e xhirimit, ndërsa në ato momente e kanë parë pikën e kuqe të snajperit në gjoksin e kameramanit.

“Në një moment, e pamë se njërit prej kameramanëve i kalonte pika e kuqe në gjoks, prej snajperistit që ishin në breg. Më pas, na liruan dhe duke u kthyer pas, qetësi totale dhe unë isha e ‘dëshpëruar’ që xhirimet na shkuan huq, por gazetari e kishte edhe një kasetë të cilën e kishte ruajtur”, ka rrëfyer Nora Visoka Weller.

Nora Visoka Weller është avokate në Universitetin e Cambridge. Aty e ka përfunduar Juridikun dhe Arkeologjinë, ku ka specializuar në Mbrojtjen e Trashegimisë Kulturore dhe të Luftës.

Në moshën 18-vjeçare, Nora fillon punën si përkthyese me gazetarë të huaj, në pothuajse të gjitha zonat e luftës dhe përfundon duke punuar në misionin diplomatik të Ambasadës amerikane.

Ndërkohë, ajo do të trajnohej në teknika të ndryshme të mbrojtjes dhe të sigurisë, mbikëqyrjes, si të vozistë vetura 6 tonë të rënda në zona të luftës.

Puna e saj gjatë luftës ndërpritet në shtatorin e vitit 1998, kur makina e blinduar e Ambasadës bie në një minë kundër-tank.

Nora lëndohet rëndë dhe shërimi i saj zgjat disa muaj.

Fati deshi që automjeti ishte i blinduar dhe Nora shpëton. Ajo rikuperohet dhe 22 vite pas vjen këtu për të na treguar historinë e një prej disa të rinjve nga Prishtina, që punuan në misione të huaja.