Rrëfimi i dëshmitarit në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Millorad Gjokoviq

Millorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë është ulur në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës më 28.06.2024.

Në seancën e sotme, dëshminë para trupit gjykues e dha dëshmitari Ferat Morina.

Dëshmitari për të akuzuarin rrëfeu se e kishte njohur para lufte si “Mici” por që emrin nuk ia kishte ditur.

Tutje, dëshmitari Ferat Morina, për të akuzuarin rrëfeu se e kishte parë bashkë me një person tjetër, Momqillo Vukotiqin, të cilët ishin afruar afër vëllait të tij të ndjerë, i cili kishte qenë i rrëzuar nga plumbat në tokë.

Para trupit gjykues, dëshmitari rrëfeu edhe ngjarjen kur ishin ndalur nga forcat serbe gjatë kohës sa kanë qenë duke ecur.

“10 metra pa u afru te rruga e fshatit, janë dëgju fjalët ‘Stoj, stoj, stoj’, edhe jemi ndal i kemi çu duart përpjetë, na kanë thënë ‘hajde’,… na kanë qit në asfalt ushtria, na kanë shtri për asfalt, na kanë kontrollu edhe nja 10-20 min, kam ni krisma, shkelma… e kon ni fjalën ‘Ndal’, dhe nuk e kam pa në kë kanë gjuajt”- tha dëshmitari Morina.

Tutje, dëshmitari tha se policia ju kishe marrë emrat, dhe kishin ardhur dy vetura me paramilitarë dhe kishin thënë së ‘këta duhet me i vra’.

“Policia na ka marr emrat, sa kanë qenë duke na i marr emrat, kanë ardh dy kerre me paramilitarë edhe kanë thënë këta duhet me i marrë m`i likuidu. Polica edhe ata të armatosur kanë thënë ‘këta janë civil të fshatit të cilët janë të pafajshëm i kemi çu ne komandë emrat e tyre edhe nuk bën me i marrë’”- tha dëshmitari Ferat Morina.

Dëshmitari rrëfeu edhe për ngjarjen, kur iu kishin kërkuar çelësat e kamionit.

“Ka ardh Mumo Vukotiqi, edhe në gjuhën serbe më ka thënë ‘ti i vogli i Morinëve me m`i pru çelësat e kamionit’. Unë i kam thënë ‘nuk i kam’. Më ka thënë ‘ti çelësat i ki, ami çelësat’, më ka thënë vëllai Rifati ‘jepja çelësat’, i kam lyp mezi i kom gjet dhe ja kom afru, u kon Gjokoviqi  edhe Momo. Edhe kanë shku mbas 20 minutave janë kthy prapë edhe më ka fy shumë, më ka thënë ‘çka i keni bo kamionit pse nuk dhez’, i kam thënë ‘mos fyej se je kojshi’”- rrëfeu dëshmitari.

Tutje, dëshmitari rrëfeu se prej shupës (garazh) i kishin dërguar në Pejë, ku kishte qëndruar 30 ditë, pastaj në Leskofc.

Ndryshe seanca e sotme dhe dëshmia e dëshmitarit të sotëm, u ndërpre për shkak të kohës të pa mjaftueshme dhe me kërkesë së mbrojtjes.

Seanca e sotme u shtye për datë tjetër.

Çka thuhet në aktakuzë?

Sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth Pejës, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

I njëjti tutje ka dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe ka aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë.

Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

Gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë në së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kanë rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kanë filluar një ofensive ushtarake-policore.

Fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur.

Tre të fundit pas plagosjes u dërguan fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë.

Kurse pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të zhdukur.

Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “ Shupa e Shemit”,  vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim.

Aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

Të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse për  28 prej tyre, i kanë ndarë në tri grupe e i kanë transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku ka qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

Aty të njëjtit janë marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kanë dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kanë dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura.

Deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.