Qeveria e Kosovës ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Ukrainës. Foto: Kryeministri Albin Kurti në Twitter

Reuters: Kosova do t'i strehojë 20 gazetarë ukrainas

Kosova planifikon t’i ofrojë strehim deri në gjashtë muaj 20 gazetarëve ukrainas të cilët kanë qenë të detyruar të largohen nga vendi i tyre pas pushtimit nga Rusia, sipas një dokumenti qeveritar të parë nga Reuters të martën.

Dokumenti thotë se përparësi do t’u jepet gazetareve femra të cilat do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Qeveria fillimisht do të ndajë 150 mijë euro si pagesë për shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar atyre të punojnë në distancë.

Reuters raporton se dokumenti i parë nga ta, nuk kishte asnjë të dhënë se kur do të arrinin gazetarët në Kosovë.

Kosova nuk është as anëtare e NATO-s, e as e BE-së, por është bashkuar me vendet e tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Gushtin e kaluar Kosova gjithashtu ra dakord t’i pranojë përkohësisht rreth 2,000 afganë që kërkonin viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Shumica prej tyre tashmë janë larguar edhe pse disa prej tyre janë ende në pritje të rregullimit të dokumentacionit.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në Kosovë nën komandën e misionit të NATO-s./Reuters