Regjisori Ahmetaj: ‘CineUP’ po kalon parashikimet 

Festivali Ndërkombëtar Online Studentor, ‘CineUP’ ka hyrë në dy ditët e fundit të tij. Gjatë 4 ditëve të festivalit online janë shfaqur dhjetëra filma të punuar nga studentë të Degës së regjisë së filmit dhe TV-së së Fakultetit të Arteve të UP-së, ‘Hasan Prishtina’. 

CineUP’ që ka karakter garues dhe si qëllim të tij ka promovimin dhe prezantimin e projekteve filmike të studentëve të Regjisë së Filmit dhe TV-së së FA-së, krijuar ndër vite gjatë studimeve. 

Organizatorët e këtij festivali, kanë arritur që të angazhojë edhe emra të njohur të kinemasë vendore dhe të huaj, si fituesin e njëpasnjëshëm të çmimit ‘Oscar’, Paul Haggis, i cili është skenarist, producent dhe regjisor i filmit me renome ndërkombëtare, aktori i njohur dhe profesori Enver Petrovci, etj. 

Në këtë intervistë për Kallxo.com, drejtori i këtij festivali regjisori, Jeton Ahmetaj ka thënë se festivali, pavarësisht se mbahet online, i ka kaluar parashikimet dhe ka marrë formën e një festivali me traditë. 

Ai ka thënë se do të ndahen 9 çmime të cilat do të mbajnë emrat e personaliteteve të njohura të filmit kosovar. 

Intervista e plotë me Jeton Ahmetaj

Kallxo.com: Sa jeni i kënaqur me mbarëvajtjen e festivali ‘CineUP’, i cili është duke e mbajtur edicionin e tij të parë? 

Jeton Ahmetaj: Festivali i ka kaluar pritjet tona, sepse kemi pretenduar në festival modest gjatë kohës se pandemisë. Por, kemi arritur shumë mirë ta organizojmë dhe jemi krenar për këtë dhe ky festival tanimë ka një fizionomi, dhe ai tani EKZISTON. Festivali i përngjanë një festivali jo fillestar, por një festivali sikur të ishte një festival me përvojë të gjatë. 

Kallxo.com: Sa është shprehur interesim për këtë festival qoftë nga studentët, profesorët dhe kineastët kosovarë? 

Jeton Ahmetaj: Të gjithë kemi qenë të kënaqur me përcjelljen e festivalit, i cili ka pasur 970 përcjellësFacebook që në gjuhën e filmit i bie 3 salla përplot. 

Kallxo.com: Si arritët të sillnit emrat të njohur të filmin, qoftë shqiptarë apo të huaj, për masterklasat gjatë festivalit? 

Jeton Ahmetaj: Me seriozitet dhe me organizim të mrekullueshëm nga studentët tanë veçanërishtLoreta Berbatovci dhe Hafiz Qerimi, ia kemi arritur të kemi një grup të jashtëzakonshëm në mesin e tyre fitues të çmimit ‘Oscar’. 

Jeton Ahmetaj

Kallxo.com: Festivali mbyllet të dielën, cilat janë çmimet që do të ndahen dhe pse keni vendosë që ato çmime të mbajnë emrat e kineastëve tanë të njohur? 

Jeton Ahmetaj: Çmimet do të bartin emërtime nga ish-profesionistë si Besim Sahatçiu, Faruk Begolli, Fatos Kastrati e që janë kontribuues të kinematografisë ndër vite. Kemi dashur t’i kujtojmë dhe t’ua njohim meritat dhe t’iu jemi mirënjohës për punën e tyre. 

Kalxo.com: Cilat janë synimet për të ardhmen, a mendoni që këtë festival ta bëni tradicional? 

Jeton Ahmetaj: Festivali do të zhvillohet dhe do të jetë tradicional. Kemi shumë përkrahje dhe premtime që duhet t’i shfrytëzojmë për ta bërë festivalin UNIVERSITAR të fuqishëm dhe profesional.