Foto: Reporter.al

Raportohet për 9 viktima nga tërmeti në Shqipëri

Si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë, raportohet se numri i viktimave ka shkuar në 9.

Një tjetër person i pajetë është nxjerrë pak minuta më parë nga rrënojat e një prej pallateve të shembura në Thumanë, raporton Top Channel.

Sipas raportimeve në Shqipëri, kjo është viktima e tretë që regjistrohet në Thumanë, ndërsa personat e tjerë që kanë humbur jetën janë nga Durrësi dhe Kurbini.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit janë shpërndarë në zonat e prekura nga tërmeti me magnitutë 6.5.

28 persona janë shpëtuar nga rrënojat e pallateve në Thumanë dhe Durrës, por raportohet gjithashtu për një numër të konsiderueshëm njerëzish që kanë mbetur të bllokuar në rrënojat e godinave të shembura në këto zona.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.