Raporti i QKSS, me të dhëna interesante të përceptimit të qytetarëve për dialogun Kosovë-Serbi

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar një raport lidhur me përceptimet e qytetarëve për dialogun Kosovë-Serbi.

Ky raport pati si synim monitorimin e çështjeve si: Përceptimet e qytetarëve mbi Asociacionin, shkëmbimin e tokave dhe idenë e ‘Minishëngenit’, transparencën e qeverisë në këtë proces, koha se kur do mund të kemi një marrëveshje përfundimtare, të dërguarit special të BE-së dhe SHBA-së, a dhe nëse ka ngjashmëri të perceptimeve mes qytetarëve në Kosovë dhe Serbi për dialogun.

Plator Avdiu nga QKSS tha se kjo anketë është zhvilluar në dy vendet, Kosovë dhe Serbi, për të parë si po ndikon ky dialog në marrëdhëniet mes dy vendeve

“Anketa është zhvilluar në Kosovë dhe Serbi, ky barometër është zhvilluar gjatë muajve shtator dhe tetor të vitit 2020, janë anketuar mbi 1, 100 qytetar mbi moshën 18 vjeç, gjysma në zona rurale dhe gjysma në zona urbane,” tha Avdiu.

Sipas raportit, prej të anketuarave në Kosovë, 90% janë shqiptarë, 8 % serb dhe komunitete tjera.

Nga të dhënat e anketës rreth 68 për qind e përkrahin dialogun, 80 për qind konsiderojnë se nuk kemi përfitim nga dialogu, 89 për qind janë kundër shkëmbimit të territoreve, 83 për qind janë kundër asociacionit, rreth 58 për qind nuk janë shumë njohuri për idenë e minishëngenit ku rreth 53 për qind nuk i japin përkrahje kësaj ideje.

Sa i përket vlerësimit të dialogut që nga fillimi e deri tani rreth 60 për qind e të anketuarve konsiderojnë se nuk ka ndryshuar asgjë, 17 për qind mendojnë se ka përmirësim në marrëdhënie të ndërsjella dhe 16 për qind thonë se janë dëmtuar më shumë marrëdhëniet.

Sa i përket zgjidhjes më të mirë për dialogun, 77 për qind e të anketuarve konsiderojnë se është njohja e ndërsjellë me kufijtë ekzistues dhe 11 për qind që të mos ketë marrëveshje.

 

Se kur do mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare, 48 për qind vlerësojnë se brenda 3-5 viteve, 23 për qind thonë se kjo nuk do ndodhë kurrë, kurse 15 për qind për vitin këtë vit.

Nëse pritet që ky normalizim i marrëdhënieve të ndodhë në një të ardhme të afërt, 43 për qind thonë se kjo do ndodhë nëse ka marrëveshje përfundimtare, 26 për qind thonë se kjo nuk do ndodhë pa marrë parasysh nëse ka ose jo marrëveshje, 20 për qind thonë se do ketë pa marrë parasysh çka vendoset.

Tutje në raport thuhet se rreth 90 për qind e qytetarëve nuk do pranonin nëse një anëtarë i familjes martohet me një serb/e, 80 për qind nuk do pranonin që një serb të jetë mësimdhënës i fëmijëve të tyre, 77 për qind nuk do pranonin të kenë një mik serb, 70 për qind nuk do pranonin që një serb të jetë epror dhe 58 për qind nuk do pranonin të kishin serb në banesë ose lagje.

Mbi 50 për qind e qytetarëve në dyja vendet Kosovë dhe Serbi mendojnë se dialogu duhet të vazhdojë.

Në Serbi rreth 90 për qind  e qytetarëve nuk shohin ndonjë interes personal nga dialogu.

Vlen të theksohet se në të dyja vendet konsiderojnë se dialogu nuk ka krijuar marrëdhënie paqësore mes popujve.