Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama: Të organizohet konferencë me Kurtin dhe Vuçiqin, të mos dalin pa arritur një marrëveshje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje, në të kundërtën të ballafaqohen me pasoja, që sipas tij, do të ishte e dhimbshme për të gjithë.

Rama ka propozuar një konferencë të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA.

“Shpresoj shumë që ideja e konferencës së nivelit të lartë do të marrë vëmendje e ku do të marrin pjesë liderët e dy palëve dhe ekipet e BE-së dhe SHBA-së, dhe të mos lejohen ata të dalin pa arritur një marrëveshje, ndryshe pastaj për t’u përballur me pasojat e asaj, që do të jetë shumë e dhimbshme për të gjithë”- tha ai pas takimit me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Rama tutje ka thënë se vendet e rajonit nuk mund të shikojnë vetëm “shtëpinë e tyre”, pa u shqetësuar se çfarë po ndodhë përreth.

“Jam i kënaqur që janë liruar tre policët dhe tash është koha për shtensionim”- shtoi ai.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, deklaroi sot se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë duke humbur durimin përballë situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Sipas Borrell, shtetet anëtare të BE-së kërkojnë lëvizje të shpejta për shtensionim të situatës.

Që nga 26 maji, qytetarët serb janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.
Gjatë protestave me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe protestuesve mbetën të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës. Me lëndime trupore mbetën edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar vazhdimisht gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Më 22 qershor, me ftesë të Borrell, Kurti e Vuciq shkuan në Bruksel ku kanë zhvilluar disa takime dypalëshe. Pas takimeve, kryeministri i Kosovës tha se pati gatishmëri nga ana e tij që të ketë takim trelateral, por që nga pala tjetër nuk erdhi diçka e njëjtë.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.