Edi Rama në Samitin e NATO-s në Madrid. Foto: Twitter

Rama: Në NATO kërkova që Kosova të ftohet në Partneritetin për Paqe

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se sot në NATO ka kërkuar që Kosova të ftohet në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.

Përmes një ‘cicërime’ në rrjetin social ‘Twitter’, Rama ka thënë se vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin që Kosova mban rreth situatës në Ukrainë.

“Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën – pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”, ka shkruar Rama.

Sot në Madrid të Spanjës është mbajtur samiti i Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën presdienti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë strategjinë ushtarake në Evropë, për shkak të pushtimit rus në Ukrainë.

Duke folur pasi është përshëndetur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të rrisin numrin e armëve shkatërruese që kanë në Spanjë në gjashtë nga katër sa kanë aktualisht.

Përveç tyre, Uashingtoni do të dërgojë dy skuadrilje shtesë të F-35 në Britani dhe do të krijojë një bazë ushtarake në Poloni.

Biden: SHBA do të forcojë pozicionin në Evropë