
Rama: Bojkoti i Vetëvendosjes dhe PDK-së është në dëm të qytetarëve
Dy partitë opozitare në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë lëshuar seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës në të cilën në rend të ditës ishte Plani Zhvillimor Komunal [2023-2031].
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama tha se bojkoti i dy partive opozitare është në dëm të qytetarëve të Prishtinës.
“VV dhe PDK u bënë bashkë për të bllokuar vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor të Prishtinës, i cili është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e Kryeqytetit për periudhën 2024 – 2032. Ky bojkot nga VV dhe PDK, është në dëm të qytetarëve të Prishtinës sepse ua pamundëson të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese për kontribut në këtë dokument të rëndësishëm”- ka shkruar Rama në Facebook.
Kryetari Rama ka falendëruar përfaqëuesit e LDK-së, AAK-së, AKR-së, Nismës dhe Lëvizjës për Bashkim të cilat qëndruan në sallë.
Paraprakisht, në fillim të seancës së Kuvendit Komunal e cila u mbajt sot (04.07.2024), shefja e grupit të asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, luti kolegët e saj që ta votojnë këtë plan për t’i hapur rrugën për në diskutim publik.
“Plani zhvillimor komunal është dokument kryesor, shumë dimensional, që në bazë ka demografinë dhe zhvillimin ekonomik dhe i jep kahje zhvillimit të kryeqytetit për 8 vitet e ardhshme. Ky dokument, është i një rëndësie të veçantë sepse përfshinë sektorët e zhvillimit që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, të infrastrukturës, kulturës, natyrore dhe turistike. Ju ftojë dhe ju lus të votoni këtë plan që të dalë në diskutim publik” – ka thënë Rafuna.
Ndërkaq, shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Leotrim Retkoceri, njësoj sikurse LVV e ka cilësuar me “të meta ligjore dhe procedurale” Planin Zhvillimor Komunal.
Menjëherë pas fjalimit të Retkocerit, PDK bashkë me partinë tjetër opozitare, LVV-në lëshuan sallën. Kuvendi Komunal në kryeqytet me 24 të pranishëm nuk pati kourum për të vazhduar seancën. Para fillimit të seancës, LVV kishte mbajtur konferencë për media ku kishin shprehur kundërshitë e tyre për këtë plan.
Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve të LVV-së, ka thënë se këtë plan e ka kundërshtuar edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me gjithsej 28 arsyetime.
“Për pak muaj do të hyjmë në vitin e fundit të qeverisjes së fundit të Përparim Ramës, e kjo qeverisje e ka pas gjithë kohën me përgatit një plan të mirëfilltë, mirëpo kjo nuk ka ndodhë sepse janë marrë me kontrata të dyshimta. Kjo është qeverisje e shantazhit dhe bizneseve të fshehta. Duhet me ua bë me dije LDK-së, se çdo gjë bëhet me pare, siç tha kryetari mbrëmë. Qytetarët nuk ia kanë borxh një plan kundërligjor” – ka thënë Sveçla në një konferencë për media para objektit të Komunës më 04.07.2024.
LVV dhe PDK largohen nga seanca në të cilën në rend dite është Plani Zhvillimor i Prishtinës