Rama: Agresori nuk ia arriti qëllimit, s’ka zhdukje apo rrjedhje të të dhënave

Kryeministri Edi Rama deklaroi se sistemet TIMS në pikat kufitare janë në punë që prej mëngjesit të sotëm.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se agresori nuk ia ka arritur qëllimit dhe se nuk ka pasur zhdukje apo rrjedhje serioze të dhënash.

“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm.Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin,fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash!”, shkruan Rama në Twitter.

Sipas tij, nga ana teknike vendi ynë ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm.

Kryeministri Edi Rama njoftoi mëngjesin e së shtunës se hakerat iranianë kanë sulmuar sistemin TIMS.

Këtë të shtunë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bëri të ditur se sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas dhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë./Euronews